LAJMI I FUNDIT:

Remzi Ejupi nderohet nga Presidenti i Shqipërisë me titullin ‘Kalorës i urdhrit të flamurit’

Remzi Ejupi nderohet nga Presidenti i Shqipërisë me titullin ‘Kalorës i urdhrit të flamurit’

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, sot ka dekoruar me titullin “Kalorës i urdhrit të flamurit” biznesmenin Remzi Ejupi për meritat e tij në themelimin e ansamblit “Kosova djep lirie”.

Meta ka vlerësuar lartë kontributin e Ejupit gjatë luftës së Kosovës, pasi ishte iniciator i organizimit të shumë koncerteve në Shqipëri dhe Evropë, duke ngritur kështu moralin e luftës, por edhe duke kontribuar financiarisht përmes artit për të mbështetur luftën e UÇK-së.


“Remzi Ejupi deri në atë kohë kishte mbështetur artin individualisht, por ai e kuptoi që duhej bashkim i artistëve nga të dy anët e kufirit. Ai ishte ideator dhe sponsor, organizues dhe jetësues i kësaj ideje që e bëri luftën e UÇK të jetë njerëzore, të ndihet, të mbështetet nga gjithë kombi”, ka thënë presidenti Meta në fjalën e tij para të pranishmëve me rastin e ndarjes së titullit për Ejupin.

Ejupi përmes një postimi në Facebook, pasi ka falënderuar Metën për këtë vlerësim është shprehur se ndjehet i nderuar për këtë titull.

“E ndjej thellë në shpirt këtë urdhër, duke nderuar babanë tim dhe kujtimet e tij. I jemi mirënjohës zotit president që na nderoi me urdhrin e flamurit kombëtar”.

Ejupi ka thënë se kjo ngjarje është moment i paharruar për familjen e tij.

“E falënderoi presidentin Meta për vlerësimin dhe zotohem se do të vazhdojë kontributin tim në të mirë të kombit shqiptar”, ka shkruar tutje Ejupi./Telegrafi/