LAJMI I FUNDIT:

Regjisore, modele e autore librash, Hana Noka – shqiptarja e suksesshme e Hollywoodit tregon rrugëtimin e suksesit në Los Angeles

Regjisore, modele e autore librash, Hana Noka – shqiptarja e suksesshme e Hollywoodit tregon rrugëtimin e suksesit në Los Angeles

Nuk është i vogël tashmë numri i shqiptarëve që kanë prekur suksesin në Hollywood. Krahas këngëtarëve me famë botërore, sukses të madh jashtë vendit po korrin edhe modelet, aktorët e personazhe të tjerë nga fusha e filmit. Hana Noka është shembulli i një prej tyre.

Vajza me prejardhje nga Kosova e cila prej vitesh është zhvendosur në Los Angeles, është regjisore e disa filmave atje dhe autore e librit shumë të shitur “Besa Po”, që përshkruan fuqinë e femrave shqiptare ndër vite, ky libër është shpërblyer me çmimin “Beverly Hills Book Awards” për vitin 2020, dhe çmimi i është bërë dhuratë në shenjë mirënjohje Bibliotekës Kombëtare të Prishtinës.


Hana në një intervistë të gjatë për Telegrafin ka folur rreth këtyre sukseseve, projektet në të cilat është e kyçur aktualisht si dhe jetën e një vajze të re prishtinase në atë që njihet si “toka e yjeve”, në Los Angeles të Kalifornisë.

Hana, ju jeni një aktore, modele dhe sipërmarrëse e arrirë në Hollywood. Na trego pak rrugëtimin tënd të suksesit?

Të gjithë kemi nevojë për frymëzim apo nxitje drejt asaj që quhet sukses. Nuk ka formulë apo çelës specifik për suksesin, mbi të gjitha duhet shumë punë dhe qëndrueshmëri për t’u përballur me sfidat e më pas t’i kthejmë ato në mundësi për t’u rritur e për të mësuar. Personalisht, frymëzimi dhe nxitja për punë në media si para kamerës po ashtu edhe prapa saj janë disi në ADN-në time që nga mosha shtatë vjeçare kur jam përzgjedhur nga agjencia “Pars McCan Ericsson” në Stamboll për reklamën e parë që e kam xhiruar për kompaninë “Aroma” në Turqi. Për shkak të angazhimeve diplomatike të nënës dhe më pastaj studimeve, kam jetuar dhe punuar në disa shtete që nga vegjëlia e hershme. Në Turqi, Kroaci, Kosovë, Britani të Madhe… në “Griffith College Dublin”, në Irlandë i kam kryer studimet për Gazetari dhe Media Visuale me diplomë nderi (Honors Degree) dhe tani jetoj dhe punoj në Los Angeles.

Kur jeni larguar nga Kosova dhe si erdhët deri te vendimi për t’u transferuar në Los Angeles?

Gjatë studimeve kam zbuluar pasionin për produksion prapa kamerës, isha studentja e fundit që largohej nga dhomat e post-produksionit që i kishim në kolegj. Mu atëherë mu kombinua pasioni im për punë para kamerës me atë prapa saj dhe mora vendimin që të shkoj në epiqendrën e botës së filmave, pra në Hollywood me shpresë se zëri im dhe puna që e bej nuk mbesin vetëm në sferën lokale por marrin dimension më të fuqishëm global. Tani bëhen pesë vite që jetoj në Los Angeles.

Hana Noka (Foto: Fadil Berisha)

Cilat janë projektet në të cilat po punoni aktualisht. Çfarë do të presim nga Hana?

Dy ditë para fillimit të vetë-izolimit dhe krizës se pandemisë i kam kryer xhirimet për filmin e shkurtër “I, WOMAN.” Po e ndaj me lexuesit tuaj posterin zyrtar të filmit. Shumë shpejt filmi do të jetë gati të hyj në fazën e PR, si dhe aplikimeve për festivale të shumta të filmave. Përndryshe, filmin do të mund ta shikoni pastaj në Amazon Prime Video. Plani ka qenë që të mbahet premiera e filmit me shumë të ftuar, me event kokteji dhe tapet të kuq, por në këto rrethana të pandemisë, këtu në Los Angeles njësoj si në mbarë botën janë anuluar eventet e tilla për këtë vit. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe e kam prodhuar video-spotin e këngës “I Should’ve Known” qe është kolona zanore e filmit “I, WOMAN.” nga artistët e rinj dhe shumë të talentuar me prejardhje shqiptare, Siera Mollakuqe dhe Eldin Shehu të cilët jetojnë dhe veprojnë në ShBA.

Posteri i flmit “I, Woman”

Prej disa muajsh bota ka kaluar nëpër një krizë të një pandemie globale. Na trego pak si ka qenë kjo periudhë për ty dhe me çfarë je marrë gjatë gjithë kësaj kohe?

Fillimin e vetë-izolimit e kam kaluar ma merr mendja sikur gjithë të tjerët me shumë pyetje, me pak përgjigje, me shumë kureshtje, me shume brenga dhe fatkeqësisht me stresin pasues. Mirëpo, nuk jam person që e duron pasivitetin andaj e vendosa ta shndërroj këtë situatë në mundësi që të jem kreative dhe mos të ndalem me punë. Menjëherë, bashke me ekipin e produksionit tim kemi filluar të punojmë nga shtëpia ne editimin dhe post-produksionin e filmit “I, WOMAN”, që së shpejti finalizohet. Në të njëjtën kohë, rrugët e zbrazëta, dhembja, hutia dhe frika përcjellëse e gjithë popullatës më inspiruan që me ditë të tera t’i xhiroj rrugët e Los Angelesit të cilat më pastaj i editova dhe publikova para pak ditësh me titullin “Ode to the City of Angels.”

Ju jeni edhe autore e librit shumë të suksesshëm “Besa PO”, i cili është shpërblyer me çmimin “Beverly Hills Book Awards ‘20”. Na fol pak në pika të shkurtra rreth historisë së këtij libri dhe sa jeni e lumtur për çmimin?

Pas humbjes së babait nga kanceri në moshë shumë të re, gjyshi im historiani, Prof. Dr. Skënder Rizaj me qëllim që të ma lehtësojë dhimbjen, çdo ditë mi tregonte tregimet e femrave të fuqishme të historisë shqiptare. Tregimi për Mbretëreshën Teuta më patë fascinuar dhe më ka përcjellë gjatë gjithë jetës. Para disa vitesh, pas shumë kërkimeve të dokumentacionit rreth saj që janë të pakta dhe më shumë në format të legjendave të shumta, fillova ta shkruaj librin “Besa Po” si histori e fikcionalizuar. Më ka marrë disa vite ta përfundojë. Vitin e kaluar e kam botuar librin në Amazon dhe Barnes and Noble. E shfrytëzoj rastin t’i falënderohem gjithë lexuesve dhe përkrahësve nga mbarë bota. Kam marrë mijëra mesazhe përkrahjeje dhe kërkesa që librin ta shndërroj në film. Më pastaj, e kam angazhuar një ekip të skenaristëve të shquar të Hollywood-it dhe skenari është në fazën finale. Po ashtu, kam pas shumë kontakte me regjisorë, producentë, aktorë të shquar që do të jenë pjesë e filmit që sipas planit momental do të xhirohet në Shqipëri dhe Mal të Zi, në vendet ku ka jetuar Mbretëresha Teuta. Jam në kontratën NDA (non-disclosure agreement) dhe nuk mund të tregoj më shumë specifika për momentin. Shumë gjëra në ndërkohë do të ndryshojnë pasi që bota ndryshoi totalisht me pandemi, po ashtu edhe bota e produksionit të filmave është ndërprerë deri në vitin e ardhshëm.

Gjatë javës së parë të vetë-izolimit më erdhi lajmërimi se “Besa Po” është fituese e çmimit prestigjioz “Beverly Hills Book Awards” për vitin 2020. Për shkak të rrethanave me pandemine, ceremonia e ndarjes së çmimeve është anuluar dhe çmimet vetëm janë publikuar, dhe çmimin ma kanë dërguar me dërgesë speciale. Çmimin kam vendosur të ia dhuroj Bibliotekës Kombëtare në Prishtine si simbolikë për vajzat e reja, për t’u përcjellë mesazhin se çdo gjë është e mundur.

Hana Noka, autorja e librit “Besa Po”

Hana, ju njiheni gjithashtu edhe si sipërmarrëse e “PinkMoon Global”. Na trego pak rreth projekteve që keni arritur të realizoni?

PINKMOON GLOBAL është produksioni filmik i filluar me iniciativën time dhe i regjistruar në Los Angeles. Bashkëpunëtorët e produksionit janë profesionistë që punojnë në boten e filmave dhe video-produksioneve me vite të tëra. Para dy viteve filmi “HÀNA” mori tri nominime në festivalin e filmit LJIFF në San Diego si dhe ishte në selektim zyrtar në festivalin French Riviera në Kanë dhe në disa të tjera. Produksioni i fundit i PINKMOON është filmi “I, WOMAN”. Më pastaj vazhdojmë me punë rreth ko-produksionit për filmin “Besa Po”.

Duke jetuar në të ashtuquajturën “toka e yjeve” në Hollywood. Mund të na tregosh me kë nga emrat e famshëm ke pasur rastin të takohesh nga afër?

Gjatë pjesëmarrjes në LA Fashion Week dhe sfilata të tjera, gjatë xhirimeve të reklamave, filmave, gjatë premierave të shumta dhe po ashtu gjatë xhirimit të kopertinave për magazinat “Marie Westwood”, “See Beyond”, “Life is Art” etj kam pas rastin të bashkëpunoj dhe t’i njoftoj shumë yje nga bota e artit dhe shumicën e kohës befasohem për të mirë nga thjeshtësia e tyre.

Foto: Hana Noka/Instagram

Meqenëse gjendeni afër kinematografisë ndërkombëtare. Si e shihni dallimin e realizimit të filmave atje me këtu? Çfarë duhet të përmirësojë sipas jush kinematografia jonë vendore?

Kam shumë respekt për të gjithë regjisorët, aktorët dhe producentët në trevat shqiptare sepse përkundër buxheteve minimale dhe ligjeve të sigurimeve që nuk janë aq të favorshme, prapëseprapë punojnë me pasion dhe zemër. Besoj me kohe do të fuqizohet kinematografia shqiptare dhe vet përceptimi rreth filmbërjes në përgjithësi.

Sa shpesh e vizitoni Prishtinën dhe çfarë ju mungon nga koha kur jetonit këtu?

Prishtina dhe trevat shqiptare në përgjithësi janë burim i pashtershëm i dashurisë time. Kur e mendoj Prishtinën me automatizëm mendoj se jam akoma tinejxhere nëpër studiot e RTK-së duke xhiruar emisionin “TEEN” me Donika Hysenin apo në studion e Radio Dukagjinit duke e udhëhequr emisionin “Pak Pas” me Edita Dolin….ndonjëherë edhe duke mësuar nëpër bankat e American School of Kosova. Më merr malli më së shumti për gjyshin 90 vjeçar, për familjen dhe për shoqërinë. Në Prishtinë vij sa herë që të më jepet mundësia.

Hana Noka (Foto: Alberto E. Rodriguez/Getty Images/Guliver)

Sa e vështirë është për një vajzë të re të depërtojë në Los Angeles, dhe cila është këshilla që do iu jepje të rinjve që synojnë Hollywoodin?

Në Hollywood të depërtosh nuk është e lehtë. Këtu rregulli i pashkruar numër një është: mos prit ndihmë nga askush! – të gjithë vinë nga shtete të ndryshme nga e gjithë bota, i ruajnë kontaktet e agjentëve e menaxherëve për vete, ka shumë xhelozi në çdo kënd. Në Hollywood e sheh fuqinë e sinergjisë të ndihmës për njëri-tjetrin, e sheh posaçërisht të theksuar tek hebrenjtë, armenët dhe serbët. Për atë shkak, me dekada e kanë krijuar rrethin shumë të fortë, lobojnë dhe i ndihmojnë njëri-tjetrit shumë sepse e kanë të qartë fuqinë e filmit dhe po ashtu e kanë edhe përkrahjen nga institucionet shtetërore të tyre. Ai fakt e ka bërë që ata të kenë shumë më shumë influencë në Hollywood. Shpresoj se në të ardhmen edhe ne Shqiptarët, do ta kemi fuqinë e mjaftueshme në mënyrë që edhe ne, përfshirë edhe mua, të ndihmojmë talentët e rinj shqiptarë nga e mbarë bota. Të bashkuar jemi shumë më të fortë.

Thënia juaj e jetës?

“E ardhmja u përket atyre që besojnë në bukurinë e ëndrrave të tyre”, është vetëm një nga thëniet e shumta të dashura për mua, e thënë nga Eleanor Roosevelt, një grua e guximshme dhe e fuqishme për të cilën gëzoj shumë respekt.

Hana Noka (Foto: Morgan Lieberman/Getty Images/Guliver)

Hana, faleminderit që u bëre pjesë e kësaj interviste. Për fund, cili do të ishte mesazhi yt për lexuesit e Telegrafit?

Ju dëshiroj shumë shëndet, dashuri, paqe, begati dhe gjithë të mirat. Shpresoj të shihemi së shpejti. /Telegrafi/

Foto: Hana Noka/Instagram

Në trend

Më shumë
Shkëlqeu ndaj Man Cityt dhe në klub ende e duan, por veterani i Real Madridit ia ka kumtuar Perezit largimin për në fund të sezonit

Shkëlqeu ndaj Man Cityt dhe në klub ende e duan, por veterani i Real Madridit ia ka kumtuar Perezit largimin për në fund të sezonit

La Liga
“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

Drejtësi
Reagon presidenti iranian, Zelenskyt hatërmbetje me aleatët – detaje dhe pamje, minutë pas minute, rreth ‘hakmarrjes’ së Izraelit ndaj Iranit

Reagon presidenti iranian, Zelenskyt hatërmbetje me aleatët – detaje dhe pamje, minutë pas minute, rreth ‘hakmarrjes’ së Izraelit ndaj Iranit

Botë
Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Siguri
Izraeli e njoftoi në minutën e fundit SHBA-në për sulmin ndaj Iranit

Izraeli e njoftoi në minutën e fundit SHBA-në për sulmin ndaj Iranit

Azia
Zinedine Zidane ‘një hap larg’ emërimit si trajner i gjigantit të njohur evropian

Zinedine Zidane ‘një hap larg’ emërimit si trajner i gjigantit të njohur evropian

Ndërkombëtare
Kalo në kategori