LAJMI I FUNDIT:

Reforma territoriale, PS nuk ndryshon qëndrim: Të konsolidojmë ndarjen me 61 bashki

Reforma territoriale, PS nuk ndryshon qëndrim: Të konsolidojmë ndarjen me 61 bashki

Socialistët i qëndrojnë ndarjes aktuale administrative të vendit. Qasja e shprehur më herët në nivel politik, u zyrtarizua në raportin e ekspertëve të mazhorancës, ku Artan Shkëmbi nënvizoi nevojën për konsolidim të 61 bashkive aktuale.

“Në kushte kur s’kemi studime, ne rekomandojmë konsolidim e 61 bashkive, të qartësohen funksionet e tyre e këshillave bashkiakë, të realizohet një konsultim me qytetarët që të kemi një listë rekomandimesh për decentralizmin dhe të bëhet një studim i plotë”, tha ai.


Rekomandimet e ekspertit të PS u cilësuan nga bashkëkryetarja demokrate Dhurata Çupi si të pabesueshme. Sipas saj, konkluzionet e raportit të mazhorancës ishin thjesht një përkthim i fjalëve të Taulant Ballës.

“Ajo që tha Balla një muaj më parë gjatë punës sonë, që deklaroi se reforma e vitit 2014 nuk ndryshon vetëm në disa sekonda, so ju e thatë në 2 orë e 30 minuta. i qëndruat besnik Ballës”.

Anila Denaj, bashkëkryetare socialiste e komisionit, e quajti të vonuar pretendimin e opozitës ndaj ekspertëve të zgjedhur nga PS. “Kishe 4 muaj kohë të thoshe që eksperti është në konflikt interesi. Ose kemi mendjen e hapur të dëgjojmë, ose hedhim baltë siç keni bere ju”, tha Denaj.

Në 17 dhe 18 tetor disa nga anëtarët e komisionit do të zhvillojnë një vizitë studimore në Kroaci dhe më pas në 19 tetor të dyja palët do të paraqesin për herë të fundit qasjet e tyre për reformën territoriale./A2 CNN