Reduktimet e rrymës, Ymeri: Heshtja e kryeministrit dhe ministres tregon problem serioz

Janina Ymeri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka deklaruar se reduktimet e energjisë elektrike, të cilat së fundmi kanë prekur edhe Prishtinën, janë dëshmi e qartë e një krize serioze dhe e një kolapsi energjetik në vend, të shoqëruar me mungesë reagimi nga institucionet përgjegjëse.
Në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Ymeri tha se Prishtina zakonisht konsiderohet zonë e privilegjuar për shkak të pranisë së institucioneve shtetërore, QKUK-së dhe funksioneve kyçe publike.
“Kur ka pasur reduktime edhe në Prishtinë, që është zonë e privilegjuar sepse i ka institucionet publike, QKUK-në dhe funksionet kyçe të vendit, atëherë duhet me u pyet çka po ndodh me qytetet tjera”, deklaroi Ymeri, shkruan Telegrafi.
Ajo shtoi se nga reagimet që ka marrë nga qytetarët, situata në komunat tjera është edhe më e rëndë.
“Po flas edhe nga komentet që i marr prej njerëzve, prej Ferizajt e deri te zonat më rurale, ku gjendja është edhe më keq”, u shpreh ajo.
Sipas Ymerit, fakti që reduktimet kanë prekur edhe kryeqytetin tregon se problemi është thelbësor dhe jo i rastësishëm.
Deputetja e zgjedhur e LDK-së theksoi se kjo gjendje është paralajmëruar prej kohësh dhe tani po manifestohet hapur.
“Kjo e tregon atë që po e themi prej një kohe të gjatë – është kolaps energjetik, vetëm se tash vetëdija është manifestu edhe në kushte dimri”, deklaroi Ymeri.
Ajo theksoi se përgjegjësia nuk duhet t’u bartet punëtorëve teknikë, të cilët sipas saj janë nën presion të madh.
“Nuk duhet me ua lënë fajin zyrtarëve teknikë. Me të ra dy blloqe prej pesë është shumë, por kjo vjen si pasojë e vendimeve dhe mosveprimeve të instancave qeveritare”, tha ajo.
Në këtë kontekst, Ymeri kritikoi ashpër mungesën e reagimit institucional.
“As kryeministri dhe as ministria në detyrë nuk kanë pasur asnjë reagim deri tash”, deklaroi ajo.
Sipas saj, heshtja institucionale është veçanërisht shqetësuese në një kohë kur, siç tha, rreth 50 për qind e konsumit po mbulohet përmes importit të energjisë elektrike.
“Kur importohet gjysma e konsumit dhe kjo pranohet si normale, atëherë problemi është shumë më i thellë”, përfundoi Ymeri. /Telegrafi/



















































