Reali fiton thellë ndaj Sociedadit, Ronaldo shënon het-trik (Video)

Real Madridi ka fituar në shtëpi ndaj Real Sociedadit me rezultat të thellë 5-2 në ndeshjen e vlefshme për javën e 23-të të La Ligas.
Skuadra e Zinedine Zidanes ka vazhduar serinë pozitive të ndeshjeve në La Liga pasi ka fituar ndaj Sociedadit dhe është ngritur në pozitën e tretë.
Mbretërit e siguruan fitoren qysh në 45 minutat e parë me katër gola të shënura, ku i pari erdhi pa përfunduar mirë minuta e parë, me Lucas Vazquez që shënoi pas asistimit të Cristiano Ronaldos.

Ylli portugez ishte faktor edhe tek goli i dytë, duke shënuar në minutën e 27-të për 2-0 pas asistimit të Marcelos.
Për 3-0 u përkujdes mesfushori gjerman, Toni Kroos, i cili shënoi një supergol nga distanca, ndërsa pjesa e parë u mbyll me golin e 4-0 të shënuar nga Ronaldo në minutën e 37-të.

Në pjesën e dytë ishin mysafirët që ishin për një nuancë më të mirë duke shënuar edhe dy gola kundrejt një të Realit.
Fillimisht ishte Bautista Orgilles Jon që shënoi në minutën e 74-të për 1-4, ndërsa ylli portugez Ronaldo kompletoi het-trikun në minutën e 80-të duke shënuar për 5-1.

Goli i fundit u shënua në minutën e 84-të nga ish-lojtari i Reali, Asier Ilarramendi, i cili vendosi rezultatin përfundimtar dhe fitoren e Mbretërve me rezultat 5-2.
Pas kësaj fitore, Reali ngjitet në pozitën e tretë me 42 pikë, ndërsa baskët renditen në pozitën e 14-të me 26 pikë të mbledhura. Në ndeshjen e radhës Los Blancos udhëtojnë te Real Betisi, teksa Sociedadi e pret Levanten. /Telegrafi/
https://www.dailymotion.com/video/x6ek1z6
https://www.dailymotion.com/video/x6ek2hn
https://www.dailymotion.com/video/x6ek3s6
https://www.dailymotion.com/video/x6ek300
https://www.dailymotion.com/video/x6ek4yg
https://www.dailymotion.com/video/x6ek5e0

















































