Real Madridi vendos për të ardhmen e Endrick

Endrick, një nga talentët më premtues të Real Madridit dhe futbollit brazilian, po përballet me një situatë delikate në Santiago Bernabeu.
Me ardhjen e trajnerit të ri, Xabi Alonso, sulmuesi i ri ka parë ndjeshëm uljen e minutave të tij në fushë, ndryshe nga periudha nën drejtimin e Carlo Ancelottit, ku ai shihej si një pjesë kyçe e rotacionit ofensiv.
Pavarësisht potencialit të madh dhe pritshmërive të larta, Endrick nuk ka arritur të gjejë hapësirë në një repart sulmues të mbushur me yje, gjë që ka shtyrë bordin drejtues të Real Madridit të shqyrtojë seriozisht mundësinë e një huazimi në afatin kalimtar të janarit.
Klubi ka vendosur të mos e shesë lojtarin, por të lejojë një largim të përkohshëm, në mënyrë që ai të zhvillohet më tej dhe të fitojë përvojën e nevojshme.

Sipas raportimeve nga "Defensa Central", Real Madridi ka dhënë dritën jeshile për oferta huazimi, me kusht që klubi pritës të garantojë kohë loje të mjaftueshme për brazilianin.
Interesi nuk mungon, Juventusi ka shfaqur interes konkret, ndërsa brenda La Ligës, ekipe si Real Sociedad kanë kërkuar informacion rreth disponueshmërisë së sulmuesit.
Megjithatë, mbetet një dilemë mes strategjisë së klubit dhe dëshirës së vetë lojtarit.
Endrick preferon të qëndrojë në Madrid dhe të luftojë për një vend, duke ndjekur shembullin e Vinicius Jr.
Por Real Madridi e konsideron largimin e tij të përkohshëm si hapin më të shëndetshëm për karrierën e tij në këtë fazë.
Vendimi përfundimtar pritet të merret gjatë muajve në vijim, me janarin që do të jetë vendimtar për të ardhmen e afërt të Endrick. /Telegrafi/


















































