Real Madridi po e mbyllë edhe transferimin e katërt - Perez është futur në 'rinovim' komplet të skuadrës

Real Madrid është në prag të nënshkrimit me mbrojtësin e majtë të Benficës, Alvaro Carreras, në një marrëveshje që pritet të mbyllet këtë javë.
Klubi madrilen do të paguajë klauzolën e lirimit prej 50 milionë eurosh, pasi nuk arriti të negociojë për një çmim më të ulët.
Carreras është identifikuar si objektivi kryesor nga fundi i majit, pasi Xabi Alonso, trajneri i ri i Realit, nuk është plotësisht i bindur me opsionet aktuale në krahun e majtë – Ferland Mendy dhe Fran Garcia.
Carreras, që më herët ka qenë pjesë e akademisë së Realit, ka shprehur dëshirën për t’u rikthyer në “Santiago Bernabeu” dhe tashmë ka arritur marrëveshje personale me klubin.
Benfica kishte shpresuar ta mbante Carreras për Kupën e Botës për Klube, por ka pranuar ta lëshojë para 10 qershorit, kur mbyllet afati i përkohshëm i transferimeve.
Ky transferim pritet të ndikojë në të ardhmen e Mendy ose Garcia, me gjasa që njëri prej tyre të largohet gjatë verës.
Mendy ka paga më të larta, por Garcia ka më shumë interes nga klubet e Ligës Premier dhe Serie A.
Me transferimin e Carreras, Real Madrid gjithashtu pritet të tërhiqet nga gara për Alejandro Grimaldo, duke lënë hapësirë për Atletico Madrid dhe Barcelona për të garuar për firmën e tij. /Telegrafi/






















































