Real Madridi dhe Barcelona vazhdojnë të jenë në garë për yllin e Crystal Palace

Real Madridi dhe Barcelona vazhdojnë të monitorojnë nga afër situatën e mesfushorit anglez Adam Wharton, i cili po shkëlqen me fanellën e Crystal Palace në Ligën Premier.
Përveç dy gjigantëve të La Ligës, interes për 21-vjeçarin kanë shfaqur edhe disa klube të mëdha angleze.
Sipas raportimeve të The Sun, aktualisht janë pesë skuadra që po shqyrtojnë seriozisht mundësinë e transferimit të talentit anglez, Manchester United, Manchester City, Liverpool, si dhe Real Madrid e Barcelona.

Transferimi i Wharton pritet të jetë një operacion kompleks, jo vetëm për shkak të konkurrencës së fortë, por edhe për shkak të kërkesave të larta financiare të klubit londinez.
Pas largimit të mbrojtësit Marc Guehi, drejtuesit e Crystal Palace nuk janë të gatshëm të humbasin një tjetër element kyç pa përfituar maksimalisht.
Burime pranë klubit bëjnë të ditur se kartoni i mesfushorit mund të kapë një shifër që tejkalon 100 milionë euro, një shumë që mund të konsiderohet e lartë për Barcelonën dhe Real Madridin, duke marrë parasysh strategjitë aktuale financiare të të dyja klubeve.

I formuar në akademinë e Blackburn Rovers, klub i qytetit të tij të lindjes, Wharton iu bashkua Crystal Palace në afatin kalimtar të dimrit të vitit 2024.
Që nga transferimi në “Selhurst Park”, ai ka regjistruar 80 paraqitje zyrtare dhe ka kontribuar me 10 asistime.
Performancat e tij të qëndrueshme i kanë siguruar gjithashtu edhe ftesën për ekipin kombëtar të Anglisë, me të cilën numëron tashmë tre ndeshje me ekipin e parë.
Me interesimin në rritje dhe me një çmim kaq të lartë në treg, e ardhmja e Adam Wharton pritet të jetë një nga sagat më të nxehta të afatit kalimtar veror. /Telegrafi/

















































