Reagon Netanyahu pas pamjeve ku Ben-Gvir keqtrajton aktivistët që transportonin ndihma në Gaza

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kritikuar ashpër ministrin e tij të sigurisë, pasi pamjet e tregojnë atë duke u tallur me aktivistët e ndaluar nga Flota Globale Sumud, të cilët po përpiqeshin të transportonin ndihma në Gaza.
Pamjet e publikuara nga ministri i Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben-Gvir, më herët këtë javë e tregonin atë duke i qortuar të paraburgosurit dhe duke valëvitur një flamur të madh izraelit, ndërsa ata detyroheshin të gjunjëzoheshin me duart e lidhura pas shpine.
“Mirë se vini në Izrael, ne jemi pronarët e tokës”, thotë ai në video.
Në një deklaratë, Netanyahu tha se Izraeli kishte “çdo të drejtë” për të ndaluar “flotiljet provokuese të mbështetësve të Hamasit që të hynin në ujërat tona territoriale dhe të arrinin në Gaza”.
Por ai theksoi se mënyra se si Ben-Gvir ishte marrë me aktivistët "nuk ishte në përputhje me vlerat dhe normat e Izraelit".
Pamjet kanë marrë kritika të gjera që nga publikimi i tyre, përfshirë edhe nga disa figura të larta brenda qeverisë izraelite.
Ministri i Jashtëm Izraelit Gideon Sa'ar i tha Ben-Gvir se ai "i kishte shkaktuar qëllimisht dëm shtetit në këtë performancë të turpshme, dhe jo për herë të parë".
“Jo, ju nuk jeni fytyra e Izraelit”, shtoi ai. /Telegrafi/












































