LAJMI I FUNDIT:

Reagon MPB: Lajmi për tenderin e pasaportave, i pavërtetë

Reagon MPB: Lajmi për tenderin e pasaportave, i pavërtetë

Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar ndaj lajmit “Prokuroria heton tenderin 20 milionësh të pasaportave, dyshime për skandal të ri të MPB-së”.

Prokuroria heton tenderin 20 milionësh të pasaportave, dyshime për skandal të ri të MPB-së
Lexo po ashtu Prokuroria heton tenderin 20 milionësh të pasaportave, dyshime për skandal të ri të MPB-së

Sipas MPB-së, lajmi në fjalë është i pavërtetë, spekulativ dhe aspak profesional.


Ky është reagimi i plotë:

Ministria Punëve të Brendshme reagon ndaj artikullit të publikuar sot në “lajmi.net” me titull: “Ekskluzive: Prokuroria heton tenderin 20 milionësh të pasaportave, dyshime për skandal të ri të MPB-së”, të cilin MPB e konsideron si lajm të pavërtetë, spekulativ dhe aspak profesional.

Lajmi.net, ka dërguar dje pyetje në MPB, për të cilat nuk ka pritur fare për përgjigje.

Për më shumë “lajmi.net”, nuk ka kërkuar në asnjë rast qasje në dokumente publike, për të marrë qëndrim zyrtar, i cili shpaloset në këto dokumente gjatë gjithë procedurës, që nga dita e planifikimit deri në fazën finale, e që është nënshkrimi i kontratës për furnizim me pasaporta, letërnjoftime, patentë shofer dhe sistemin e mirëmbajtjes.

Ministria e Punëve të Brendshme, deklaron se kjo procedurë, është zhvilluar konform legjislacionit në fuqi dhe në përputhje me interesin publik, e po ashtu në faza të caktuara është bërë edhe publikimi i njoftimit, ashtu siç kërkohet me legjislacion dhe nuk ka pasur asnjë ankesë zyrtare nga kushdo qoftë.

MPB ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore dhe procedurale që të garantojë zbatimin e ligjit, ekonomicitetin, si dhe të garantojë misionin e saj bazë ndaj qytetarëve të saj.

Spekulimet e krijuara nga artikulli, me buxhetin, pa iu referuar asnjë deklarimi zyrtar, pa shqyrtuar asnjë nga dokumentet zyrtare, tregon seriozitetin e këtij portali.

Ministria e Punëve të Brendshme, njofton publikun, si dhe i bën thirrje të gjitha palëve të interesuara, se e drejta për qasje në dokumente zyrtare ekziston dhe MPB-ja, i ofron qasje të pakushtëzuar çdo pale me interes, ashtu siç ka vepruar në vazhdimësi.

MPB deklaron se vëmendja e saj do të jetë në zbatimin e planeve dhe detyrave ligjore që ka dhe asnjëherë shkrimet e tilla nuk do të cenojnë integritetin e saj.

MPB, dilemave të tilla i përgjigjet me transparencë dhe qasje në dokumente publik, sa herë që çështjet e tilla do të jenë në përputhje me ligjin dhe në interes të publikut. /Telegrafi/