Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj një postimi të bërë nga Lëvizja Vetëvendosje, në të cilin thuhej se FSK-ja ka shkuar për herë të parë në veri të vendit.

Çitaku përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se se mund të abuzohet me vdekjen tragjike të një të riu për propagandë politike.


“A keni fije përgjegjësie? A keni fare ndjeshmërie njerëzore? Si mund të abuzoni me vdekjen tragjike të një të riu për propagandë politike?”, ka shkruar ajo.

Tutje ajo ka thënë se FSK-ja nuk ka shkuar në veri për të luftuar, por për të kërkuar trupin e një djali që humbi jetën tragjikisht.

“Ashtu siç ka vepruar edhe më parë, me dinjitet dhe pa zhurmë. Po aq sa po i retushoni fotografitë për të ndërtuar një narrativë të rreme, po përpiqeni të retushoni edhe historinë”, ka shkruar ndër të tjera në Facebook Çitaku. /Telegrafi/