Kreu i BDI, Ali Ahmeti përmes një postimi në “Facebook” ka reaguar lidhur me ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit, Fatos Nano. Ahmeti shprehu ngushëllimet e tij ndërsa theksoi se ish-kryeministri ishte njeri me vizion dhe urtësi politike.

- Advertisement -

”Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të mikut tim të vjetër, shokut tim të orëve të vështira, Fatos Nano. Na lidhte miqësia, bashkëpunimi dhe respekti i ndërsjellë që lindi në kohëra sfidash, kur idealet për liri, demokraci dhe zhvillim ishin udhërrëfyesit tanë të përbashkët.


Fatosi ishte njeri me vizion, guxim dhe urtësi politike, një personalitet që la gjurmë të pashlyeshme në historinë moderne të Shqipërisë.

Në këto çaste dhimbjeje, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe gjithë ata që e deshën e vlerësuan. U prehtë në paqe miku im, Fatos Nano. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë gjithmonë”, shkruan Ahmeti.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar gjithashtu ndërsa shprehu ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të Nanos. Ai e cilësoi Nanon një kontribues kyç i çështjes shqiptare në kohëra krize brenda dhe jashtë kufinjve të Shqipërisë.

“Telegram ngushëllimi. Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Shqipërisë, z. Fatos Nano.

Në emrin tim dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Nano, të afërmve, kryeministrit Edi Rama, Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve.

Mirënjohje për rolin e tij udhëheqës dhe vizionar. Kontribues kyç i çështjes shqiptare në kohëra krize brenda dhe jashtë kufinjve të Shqipërisë. U prehtë në paqe!” shkruan Haradinaj.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në reagimin e tij shprehu ngushëllimet ndërsa theksoi se Nano modernizoi Shqipërinë dhe Partinë Socialiste.

“Sot e humbëm Kryetarin Nano. Do ta kujtojmë gjithmonë udhëheqësin e parë të Partisë Socialiste Fatos Nano për kontributin vendimtar në 14 vite me radhë kur Partia Socialiste nuk lëvizi asnjë moment nga graviteti i interesit kombëtar, çka u skalit si një vijë sjelljeje e palëkundur e partisë sonë, duke e bërë unikale mes partive politike në Shqipëri. Fatos Nano modernizoi Shqipërinë, duke modernizuar partinë. Faleminderit për mundësinë që më dhe të mësoj shumë prej teje. U prehsh në paqe shef”, shkruan Balla.

Deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri në reagimin e tij shkruan se Fatos Nano ringriti Shqipërinë në momente të vështira dhe se e ktheu Partinë Socialiste në një forcë politike moderne e progresiste.

“Me modelin e tij liberal, udhëhoqi Partinë Socialiste dhe në tërësi të majtën shqiptare, duke e kthyer në një forcë politike të shëndetshme, moderne e progresiste. Si kreu i qeverisë, Fatos Nano drejtoi vendin në momente të vështira, kur duhej ringritur shteti i gjunjëzuar në të gjitha hallkat e tij.

Njeriu i betejave dhe vendimeve të forta ashtu sikurse i kompromiseve dhe marrëveshjeve si mjeti më efektiv i të bërit politikë. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe dashamirësve”, shkruan Gjiknuri.

Ish-Ministrja e Arsimit dhe Sportit i Shqipërisë, Lindita Nikolla gjithashtu ka reaguar ndërsa shkruan se Nano do të kujtohet për vizionin dhe rolin e tij në Partinë Socialiste.

“Lamtumirë Fatos Nano. Me dhimbje mësova lajmin e ndarjes nga jeta të Fatos Nanos – një personalitet i spikatur, themelues dhe udhëheqës historik i Partisë Socialiste, që la gjurmë të pashlyeshme në politikën shqiptare.

Fatos Nano do të kujtohet për vizionin, kurajën dhe rolin e tij në ndërtimin e të majtës moderne dhe në rrugëtimin europian të Shqipërisë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve. Qoftë i paharruar”, shkruan Nikolla.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi në reagimin e tij shkruan se Nano është arkitekti i transformimit historik dhe se ngriti të majtën e re mbi themelet e shëndosha të socialdemokracisë europiane.

“Lamtumirë, Fatos Nano! Para pak çastesh u nda nga jeta Fatos Nano, politikani që dominoi një epokë të tërë të jetës politike shqiptare, themeluesi dhe drejtuesi vizionar i Partisë Socialiste deri në vitin 2005.

Për mua personalisht, Fatos Nano mbetet figura që më hapi dyert e politikës, duke më besuar përgjegjësinë e parë publike, në atë kohë një ftesë ndaj një brezi të ri për të ndërtuar së bashku Shqipërinë që ne të gjithë e ëndërronim. Ai kishte atë aftësi të rrallë për t’u dhënë hapësirë njerëzve të provonin veten në shërbim të vendit.

Por figura e Fatos Nanos tejkalon çdo përvojë personale. Për politikën shqiptare, ai mbetet politikani modern që solli frymën e vërtetë europiane në mjedisin tonë publik. Ishte intelektuali që dinte të fliste gjuhën e ideve, liberali që besonte te liria individuale dhe zhvillimi ekonomik, europianisti i bindur që e shihte të ardhmen e Shqipërisë vetëm në familjen e madhe europiane. Në një kohë kur shumë ende mendonin me mendësitë e së shkuarës, ai fliste për të ardhmen.

Për të majtën shqiptare, Fatos Nano është arkitekti i transformimit historik. Ai e ngriti të majtën e re mbi themelet e shëndosha të socialdemokracisë europiane, duke bërë atë që dukej pothuajse e pamundur, ta mbante atë në këmbë në një kohë kur filli ku varej ishte jashtëzakonisht i hollë. Ai kishte guximin të thyente dogmat, vizionin për të parë përtej krizave të çastit dhe forcën për të ndërtuar një lëvizje politike që mund të qeveriste dhe të modernizonte vendin.

Historia do ta gjykojë me drejtësi kontributin e tij. Ne që patëm privilegjin ta njohim, ta dëgjojmë dhe të punojmë pranë tij, e dimë se Shqipëria humbi sot një nga figurat më të mëdha të politikës së saj postkomuniste. I paharruar, Fatos Nano”, shkruan Peleshi.