ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Ushtarët e Komandës Rajonale-Lindje (Regional Command-East – RC-E), në kuadër të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, kanë zhvilluar një stërvitje për reagim ndaj një skenari të simuluar të rrëzimit të një avioni pranë Kampit Bondsteel.

Sipas njoftimit të KFOR-it, qëllimi i stërvitjes ishte forcimi i koordinimit shumëkombësh në fushën mjekësore, si dhe rritja e kapaciteteve për reagim të shpejtë në të gjithë zonën e operimit.


Në ushtrim morën pjesë ekuipazhe ajrore, personel mjekësor i fluturimeve dhe pjesëmarrës me role të ndryshme, të cilët testuan procedurat për triazhimin, trajtimin dhe evakuimin e të lënduarve në rast të një emergjence.

KFOR-i theksoi se stërvitja kontribuon në përmirësimin e ndërveprueshmërisë ndërmjet njësive të misionit dhe ndihmon në ruajtjen e gatishmërisë së personelit për t’iu përgjigjur në mënyrë të shpejtë dhe efektive situatave emergjente.

Sipas misionit, ushtrime të tilla janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të KFOR-it për të garantuar një nivel të lartë të përgatitjes operacionale dhe koordinimit ndërmjet forcave shumëkombëshe në Kosovë.