Raundi i dytë i zgjedhjeve, përfundon procesi i verifikimit të votave në Mitrovicë

Në orën 14:00 të ditës së mërkurë është përmbyllur procesi i verifikimit të rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut, në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN).
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në këtë qendër janë verifikuar gjithsej 105 vendvotime.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Valmir Elezi, zëdhënës për media nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
"Në orën 14:00 të ditës së mërkurë, në Qendrën Komunale të Mitrovicës së Jugut është përmbyllur procesi i verifikimit të rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunës", tha ai.
Elezi shtoi tutje se, një ditë më herët, të martën është përmbyllur verifikimi i rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave në 17 Qendra Komunale të Numërimit: Junik, Mamushë, Kllokot, Obiliq, Klinë, Vushtrri, Dragash, Rahovec, Gjakovë, Gjilan, Fushë Kosovë, Suharekë, Kaçanik, Prishtinë, Viti, Prizren dhe Pejë.
"Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar rinumërimi i 41 vendvotimeve me kërkesë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili ka filluar një ditë më parë. Deri në orën 14:00 ditë së mërkurë, janë rinumëruar 33 vendvotime", deklaroi ai.
Raundi i dytë i zgjedhjeve është mbajtur më 9 nëntor./Telegrafi/


















































