eksperti ad

Kallëzimi penal është dorëzuar në Prokurorinë Themelore Publike në Koçan dhe ka të bëjë me S. Sh. S. (53) nga Makedonski Brod, S. Gj. (59) nga Shkupi dhe Z. M. (64), S. Z. (61), T. K. (42), N. D. (43), G. P. (41) dhe M. Z. S. (44), të gjithë nga Koçani. Ata dyshohen për veprën penale “punë e pandërgjegjshme në shërbim”.

Sipas kallëzimit, në periudhën nga viti 2022 deri më 16 mars 2025, të dyshuarit, në cilësinë e personave zyrtarë në Inspektoratin Shtetëror të Punës, megjithëse kishin detyrim ligjor të kryenin mbikëqyrje inspektuese, asnjëherë nuk kanë nisur procedurë sipas detyrës zyrtare për kontroll të objektit hotelierik “Pulse” në Koçan.


Policia bën të ditur se, edhe pse bëhej fjalë për të vetmin objekt të këtij lloji në territorin e Komunës së Koçanit për një periudhë prej 13 vitesh, nuk ishte kryer asnjë inspektim, në kundërshtim me detyrimet e parashikuara në Ligjin për Mbikëqyrje Inspektuese.

Në kallëzim thuhet se, për shkak të mosveprimit, nuk u parandalua funksionimi i paligjshëm i objektit, ndërsa të punësuarit u ekspozuan ndaj rrezikut, pasi punonin në një objekt të pakontrolluar sa i përket kushteve për siguri dhe shëndet në punë, si dhe respektimit të të drejtave themelore nga marrëdhënia e punës.

Sipas policisë, me këtë veprim iu mundësua objektit “Puls” të vazhdonte në mënyrë të paligjshme ushtrimin e veprimtarisë hotelierike dhe të përfitonte dobi pasurore të kundërligjshme në vlerë totale prej 1.255.977 denarësh.

Me këtë kallëzim penal vazhdon hetimi për përgjegjësinë e mundshme institucionale lidhur me funksionimin e diskotekës “Pulse”, e cila është në fokus të organeve hetimore pas zjarrit tragjik që ndodhi në këtë objekt.