Rasti “Kosova Petrol & Hotel Victory”, Sallahu thotë se Gjykata e Apelit në Paris ka vendosur në favor të shtetit

Gjykata e Apelit në Paris ka refuzuar padinë e Bedri Selmani për anulimin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC), duke konfirmuar përfundimisht fitoren e Republikës së Kosovës në këtë çështje të rëndësishme juridike.
Kështu ka njoftuar ushtruesi i detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, transmeton Telegrafi.
"Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC), në çështjen nr. 24443/MHM/HBH, me 01.08.2022, e kishte refuzuar kërkesën e Bedri Selmanit në vlerë prej 60 milionë euro kundër Republikës së Kosovës (Kosova Petrol & Hotel Victory) dhe njëkohësisht e kishte detyruar të njëjtin t’ia kompensoi Republikës së Kosovës shpenzimet e shkaktuara në këtë procedurë në shumë prej 1,477,165.38 USD dhe 71,653.305 €.Z. Bedri Selmani kundër vendimit të arbitrazhit kishte ushtruar padi për anulimin e të njëjtit në Gjykatën e Apelit në Paris, ndërsa e njëjta ka refuzuar padinë dhe e ka urdhëruar Selmani qe t’ia kompensojë shpenzimet Republikës së Kosovës në shumën prej 120,000.00 euro", ka bërë të ditur Sallahu.
Ai ka sqaruar se Republika e Kosovës më herët e ka angazhuar zyrën ligjore përkatëse në Londër për fillimin e procedurës së ekzekutimit të vendimit të arbitrazhit, meqë vendbanimi i Selmani ishte në Londër.
"Edhe një fitore e Republikës së Kosovës për çështjen e njëjtë, tashmë në Gjykatën e Apelit në Paris", shtoi Sallahu.
Republika e Kosovës ishte paditur nga Bedri Selmani gjatë vitit 2019, në Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit ICC, për kompensimin e dëmit dhe fitimin e humbur, me pretendimin se ndërprerja e kontratës për shfrytëzimin e pompave të benzinës ka qenë e kundërligjshme./Telegrafi/


















































