LAJMI I FUNDIT:

Rasti “Çekiçi”, Apeli vërteton dënimin me 30 vite burgim për vrasje të rëndë

Rasti “Çekiçi”, Apeli vërteton dënimin me 30 vite burgim për vrasje të rëndë

Gjykata e Apelit ka vërtetuar atkgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë sa i përket lartësisë së dënimit, me të cilin aktgjykim Gëzim Retkoceri ishte dënuar me 30 vite burgim lidhur me akuzën se vrau tani të ndjerin N.H., në prill të vitit 2019 në Lipjan. Ndërsa, ka ndryshuar cilësimin juridik të veprës penale “Vrasje e rëndë”.

Aktgjykimi i Themelores ishte shpallur më 12 tetor 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.


Ndaj këtij vendimi, ankesë kishin ushtruar përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Berat Tmava dhe mbrojtësja e të dënuarit Retkoceri, avokatja Kosovare Kelmendi, të cilat ankesa u shqyrtuan në seancën e Apelit më 20 shkurt 2023.

Por, Gjykata e Apelit më 20 shkurt 2023 ka marrë vendim, me të cilin e ka vërtetuar dënimin me 30 vite burgim ndaj Retkocerit.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet së është aprovuar pjesërisht ankesa e mbrojtëses së të dënuarit Retkoceri, avokates Kelmendi, por vetëm sa i përket cilësimit juridik të veprës penale, duke e ricilësuar në vepër penale “Vrasje e rëndë” nga neni 147, paragrafi 7 lidhur me nenin 23 të Kodit Penal të Kosovës.

Në këtë vendim, thuhet se kolegji e ka vlerësuar si të bazuar pretendimin e mbrojtjes se në cilësim nuk mund të jenë paragrafi 3 dhe 5, sepse si të tillë përcktojnë mënyrën e vrasjes mizorisht.

“Me aprovimin e pjesshëm të ankesës së mbrojtëses së të pandehurit G.R. av. Kosovare Kelmendi, ndryshohet aktgjykimi i gjykatës Themelore në Prishtinë Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr. 835/2020 i datës. 05.12.2022, vetëm sa i përket cilësimit juridik të veprës penale të vrasjes së rëndë nga neni 147 par.3,5 dhe 7 lidhur me nenin 23 të KPK, për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor, ashtu që në veprimet e të akuzuarit kjo gjykatë gjen se përmbushen elementet e veprës penale të vrasjes së rëndë nga neni 147 par.7 lidhur me nenin 23 të KPK”, thuhet në vendimin e Apelit.

Ndërkaq, Apeli ka refuzuar ankesën e palë së dëmtuar, avokatit Tmava, lidhur me kërkesën që ndaj Retkocerit të shqiptohet dënimi maksimal, duke e lënë në fuqi kështu dënimin me 30 vite burgim.

Apeli nuk ka gjetur se është tejkaluar akuza nga Themelorja dhe se përshkrimi i dispozitivit si në aktgjykim ka të bëjë me veprën e njëjtë penale që ndërtojnë figurën e veprës penale “Vrasje e rëndë”, ashtu edhe si akuzohej Ratkoceri.

Kurse, lidhur me pretendimet mbrojtjes së Retkocerit se është hequr koha e kryerjes së veprës penale, Apeli gjen se pretendimet e tilla janë të pabazuara dhe se në dispozitiv theksohet se më 29 prill 2009 kishte ndodhur vrasja.

Po ashtu, edhe pretendimi i mbrojtjes së të dënuarit lidhur me heqjen e “marrëveshjes paraprake” nga Themelorja e që sipas tyre nuk ka bashkëpunim mes Retkocerit dhe personit “Qeli”, sipas kolegjit të Apelit ekziston bashkëpunimi mes tyre në kryerjen e veprës “Vrasje e rëndë”.

I akuzuari në rastin “Çekiçi”: "Edhe një herë deklaroj, unë nuk e kom myt N.H.”
Lexo po ashtu I akuzuari në rastin “Çekiçi”: "Edhe një herë deklaroj, unë nuk e kom myt N.H.”

Në aktgjykim theksohet edhe se kolegji i Apelit vlerëson se nuk ka asnjë të dhënë në shkresat e lëndës për sa i përket faktit se ndaj tani të ndjerit është përdorur “Çekani” si mjet për kryerjen e veprës penale pasi që kjo nuk rezulton nga raportet për shikimin e vendit të ngjarjes, e as nga konstatimet mjeko-ligjore.

Në vendimin e Apelit, po ashtu thuhet se pretendimet e mbrojtjes së Retkocerit se aktgjykimi i Themelores është i mbështetur në prova të papranueshme, nuk qëndrojnë pasi që shkalla e parë sipas Apelit ka dhënë arsye lidhur me provat e papranueshme që janë marrë nga “Autoservis Cali”.

Sipas Apelit, provat e marra nga “Autoservis Cali” janë të pranueshme dhe si të tilla rezultojnë me shikimin e vendit të ngjarjes, në të cilat janë siguruar gjurmët që korrespodojnë me veprën penale të kryer.

Gjithnjë sipas vendimit të Apelit, nuk mund të konsiderohet vend i kryerjes së veprës penale vetëm vendi ku është gjetur viktima, por si vend i kryerjes së veprës penale konsiderohet edhe vendi ku është gjetur viktima dhe vendi ku kanë bashkëpunuar Retkoceri dhe “Qeli”.

Pretendimet e mbrojtjes se është dashur të kishte urdhër gjyqësor për kontrollimin e “Autoservis Calit”, sipas Apelit nuk qëndrojnë pasi që në nga provat e administruar vërtetohet se tani i ndjeri është goditur te ai autoservis dhe për veprimet e ndërmarra ka qenë e autorizuar Policia.

Gjithashtu, edhe për pretendimet e të mbrojtjes së të dënuatrit se aktgjykimi i Themelores është bazuar në deklaratën e dëshmitarit O., sipas kolegjit të Apelit sërish janë pretendime të pabazuara, pasi që deklarata e dëshmitarit O., nuk ka përshkruar drejtpërdrejt veprimet e të dënuarit Retkoceri.

Po ashtu, Apeli ka gjetur se aktgjykimi i Themelores në dispozitiv shfaq qartë rrethanat faktike të cilat i konsumojnë elementet e veprës penale dhe se pretendimet e mbrojtjes se nuk janë dhënë mjaftueshëm arsye për vërtetimin e fakteve, nuk qëndrojnë.

“Lidhur me pretendimin e mbrojtjes se aktgjykimi është i përfshirë me shkelje esenciale, pasi që gjykata nuk ka dhënë arsye për sa i përket fakteve qe i konsideron të vërtetuara dhe fakteve që i konsideron të pavërtetuara, në raport me provat që janë administruar, Kolegji vlerëson se aktgjykimi në dispozitiv shpërfaq qartë rrethanat faktike që konsumojnë elementet e figurës së veprës penale për të cilën është shpallur fajtor i pandehuri”, thuhet më tej.

Po ashtu, në vendimin e shkallës së dytë, thuhet po ashtu se deklarata e dëshmitarëve: H. H., B.H., F.R., E.B., Z.G., L.RR., gjurmët e gjakut, analizat e ADN-së, raporti i autopsisë, shikimi i vendit të ngjarjes, batanija, teli i gjetur në trupin e viktimës dhe ai i gjetur në “Autoservis Cali”, kanë peshën dhe rëndësinë e provave që në fund të shpallet fajtor Retkoceri.

Kolegji i Apelit, ka gjetur se edhe pse ndaj të dënuarit Retkoceri nuk ka prova direket se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, megjithatë sipas Apelit nga provat e tërthorta nxjerret vetëm një konkludim dhe ai që Retkoceri ka marrë pjesë në vrasjen e tani të ndjerit N.H.

Sipas vendimit të Apelit, tani i ndjeri N.H rezulton se ka ndërruar jetë nga një vdekje e dhunshme, si pasojë e plagëve të marra në kokë dhe përshpejtimit të djegies së trupit në temperatura të larta, gjitha këto të vërtetuara nga raporti i autopsisë.

“Nga rrethanat e fakteve, rezulton se: me datë 29.04.2009 i ndjeri kishte vdekur dhe se vdekja e tije ishte e dhunshme, kjo vërtetohet nga raporti i autopsisë, nr. MA09-119 i datës 09.10.2009, e cila konstaton konkluzionin përfundimtar se vdekja ka ardhur si pasoje e plagëve vdekjeprurëse në kokë dhe e ndihmuar nga përshpejtimi i djegies se trupit në temperatura të larta”, thuhet në vendim.

Po ashtu, kolegji i Apelit ka theksuar se i njëjti tel me të cilin i janë lidhur këmbët dhe duart tani të ndjerit N.H, është gjendur edhe në “Autoservis Cali”.

“Nga teli që ishte gjetur i lidhur i ndjeri ne këmbë dhe duar rezulton se i njëjti tel ishte gjetur edhe ne Autoservisin C…”, thuhet në vendim.
Në vendimin e kolegjit të Apelit, theksohet së në “Autoservis Cali”, janë gjetur gjurmët e gjakut në tavolinën e metalit, në bombolën e gazit, në prizën elektrike dhe në dysheme, gjurmë këto të përputhshme me ato të tani të ndjerit N.H.

Apeli ka theksuar se Themelorja drejt ka gjetur se vendi ku ishte vrarë tani i ndjeri N.H ishte “Autoservis Cali”, pasi që shumica e gjurmëve të gjakut dhe mënyra se ku janë gjetur ato nuk mund të japin ndonjë përfundim tjetër përpos se vendi i vdekjes ishte te ai autoservis.

“Kolegji vlerëson se gjykata mbështetur në këto gjurmë që i janë nënshtruar procesit të ekzaminimit shkencor, drejt ka vërtetuar se vendi ku ishte vrari i ndjeri rezulton Autoservisi C…, pasi që nga shumësia e gjurmëve të gjakut dhe mënyra se ku ishin gjetur ato përjashtohet çdo konkludim tjetër përveç përfundimit të drejt siç edhe ka vërtetuar gjykata e shkallës së parë se i ndjeri ishte privuar nga jeta në Autoservisin C”, thuhet tutje sipas vendimi të Apelit.

Në vendimin e shkallës së dytë, po ashtu sqarohet se pasi që është privuar nga jeta tani i ndjeri N.H., të njëjtin Retkoceri me “Qelin” e kishin lidhur në duar dhe këmbë me tel, e kishin vendosur në qese të plastikës dhe se e kishin mbuluar me batanije dhe e kishin dërguar midis fshatrave Smallushë dhe Dobratin.

Tutje, edhe në raportin e shpejtë të zyrës për personat e zhdukur pranë MD-së i 30 prillit 2009, është vërtetuar se tani i ndjeri kishte qenë i mbuluar me një qese plastike dhe i lidhur me fije metalike-tel, i cili raport është pjesë përbërëse e raportit të autopsisë, ku thuhej se “në kokë kishte të vendosur një qese plastike mbi të cilën kishte lidhur një fije metalike i cili përshkonte në formë rrethore perimetrin e fytyrës deri në zgavrën e gojës”.

Po ashtu, kolegji ka vlerësuar se provat e administruara në shqyrtimin gjyqësor kanë vërtetuar se i tani i ndjeri ishte dërguar në mes fshatrave Smallushë dhe Dobratinë dhe siç është theksuar nga provat-gjurmët e gjakut është provuar se i njëjti është privuar nga jeta në “Autoservisin Cali”, por trupi i tani të ndjerit është gjetur në një vend tjetër.

Ndërkaq, thuhet se rrethanat faktike janë vërtetuar, nga gjurmët e gjakut që ishin siguruar në veturën “Golf 2”, pronë e të akuzuarit Retkoceri.

Tutje, sa i përket faktit se trupi i tani të ndjerit ishte djegur, kjo vërtetohet nga Raporti i shpejtë i përpiluar nga zyra për personat e zhdukur pranë MD-së, që është pjesë përbërëse e autopsisë, ku thuhej se pjesa e përparme abdominale dhe dora e djathtë ishin të djegura.

Gjithashtu, nga raporti i autopsisë është konstatuar se viktima kishte vdekur nga plagët e marra nga goditjet me mjet të fortë mprehtës si dhe më pas e ndihmuar nga djegia e trupit.

Kolegji i Apelit ka konstatuar se konkludimet për vërtetimin e plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike të nxjerra nga gjykata e shkallës së parë, janë të drejta pasi që nuk ka asnjë indicie, fakt apo provë të kundërt që arsyetojnë se si kanë përfunduar gjurmët e gjakut të tani të ndjerit në “Autoservisin Cali” dhe në veturën “Golf 2”, në pronësi të të akuzuarit Rekoceri. Të cilat prova, po ashtu pasi që janë ekzaminuar me mostrat e gjurmëve biologjike të të ndjerit janë përputhur me profilin e ADN-së të të njëjtit.

Përveç kësaj, thuhet edhe se nuk ka asnjë indicie, fakt apo provë të kundërt përveç kokludimit se i ndjeri pasi që ishte dërguar në vendin ku ishte gjetur trupi, ai ishte djegur dhe se vdekja kishte ardhur si pasojë e goditjeve, por e përshpejtuar dhe ndihmuar nga djegia e trupit, i cili konkludim është mbështetur edhe në deklaratën e dëshmitari O., që ka pohuar se ka blerë një shishe benzinë sipas kërkesës së të akuzuarit Retkoceri.

Andaj, si rrjedhojë e fakteve të lartcekura Apeli ka vlerësuar se pretendimet ankimore të mbrojtjes së të pandehurit janë të pabazuara për sa i përket vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe si të tilla janë refuzuar.

Mirëpo, sa i përket pretendimit për shkeljen e Ligjit Penal, kolegji ka vlerësuar se pretendimet e tilla janë pjesërisht të bazuara, duke theksuar se në aktgjykimin e ankimuar referenca e nenit 34 është në zbatim të drejtë, pasi që kjo dispozitë në Kodin e Përkohshëm Penal, i cili Kod ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, rregullon qëllimin e dënimit.

Po ashtu, Apeli ka vlerësuar se përderisa aktgjykimi nuk është në kundërshtim me dispozitat ligjore rrjedhimisht edhe dënimi është në përputhje me dispozitat ligjore dhe se roli i të akuzuarit ishte thelbësor në kryerjen e veprës penale të vrasjes, pasi që ekziston motivi dhe ishin përdorur prona dhe sendet e këtij të fundit, si dhe kjo vërtetohet edhe nga tërësia e fakteve të lartcekura.

Ky vendim i kolegjit të gjyqtarëve të Apelit, është marrë nga kryetari i kolegjit Bashkim Hyseni dhe anëtarë gjykatësit Burim Ademi dhe Ferit Osmani.

Ndryshe, nga zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka- Lutfiu, është konfirmuar se tashmë rasti gjendet në Gjykatën Supreme.

Po ashtu, edhe avokatja Kelmendi ka konfirmuar se kanë ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Supreme.

Ndryshe, aktgjykimi në këtë rast ishte shpallur për herë të dytë nga Gjykata Themelore në Prishtinë edhe më 21 janar 2020, por që kundër këtij aktgjykimi ishte ushtruar ankesë nga mbrojtja dhe Prokuroria.

Lidhur me këto ankesa, kolegji i Apelit kishte mbajtur seancën më 15 korrik 2020. Pas shqyrtimit të ankesave, kolegji i përbërë nga gjyqtarët, Tonka Berishaj, Driton Muharremi dhe Vaton Durguti, kishte vendosur që të aprovojë si të bazuar ankesën e mbrojtëses së të akuzuarit Retkoceri, avokates Kosovare Kelmendi, kurse ankesat e Prokurorisë dhe palës së dëmtuar i kishte vlerësuar si jolëndore tani për tani. Andaj, rasti ishte kthyer në rigjykim.

“Gjykata e Apelit me vëmendje ka shqyrtuar aktgjykimin e shkallës së parë, ankesën e mbrojtëses të të akuzuarit si dhe shkresat e lëndës dhe vlerëson se përsëri aktgjykimi i shkallës së parë në këtë rast penal është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale si dhe vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike”, thuhej në aktgjykimin e Apelit.

Ndryshe, ky rast ishte kthyer edhe më herët në rigjykim nga Gjykata e Apelit, më 4 maj 2016. Apeli kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila më 7 korrik 2015, dy të akuzuarit për vrasjen e N.H, Gëzim Retkoceri dhe Osman Spahiu, i kishte dënuar me nga 30 vjet burgim.

Me rastin e kthimit në rigjykim, Gjykata e Apelit, kishte konstatuar se Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shkelur dispozitat e procedurës penale dhe se dispozitivi i aktgjykimit nuk ishte hartuar ashtu siç parashihet me Kodin e Procedurës Penale.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Retkoceri thuhet se më 29 prill 2009, me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore, së bashku me një person të panjohur me nofkën “Qeli”, e kishin rrëmbyer tani të ndjerin N.H, me qëllim që ta privojnë nga jeta.

Sipas aktakuzës, tani të ndjerin N.H e kishin goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart, e kishin vrarë tani të ndjerin, pastaj e kishin dërguar në një lokacion ndërmjet fshatit Smallushë dhe Dobratin dhe për të fshehur gjurmët, e kishin djegur trupin e tij. /BetimipërDrejtësi/

Në trend Lajme

Më shumë
Zhduket një 28-vjeçare në Ferizaj, familja kërkon ndihmën e policisë dhe qytetarëve për gjetjen e saj

Zhduket një 28-vjeçare në Ferizaj, familja kërkon ndihmën e policisë dhe qytetarëve për gjetjen e saj

Kronika e Zezë
Ymeri: Mos pranimi i Kosovës në KiE është dështim i Qeverisë Kurti

Ymeri: Mos pranimi i Kosovës në KiE është dështim i Qeverisë Kurti

Lajme
Kurti publikon statistikat: Serbia po propagandon për dhunën ndaj serbëve në Kosovë

Kurti publikon statistikat: Serbia po propagandon për dhunën ndaj serbëve në Kosovë

Lajme
Iu bë atentat në Bruksel më 28 prill, ndërron jetë Agustin Kaza - dyshohet se u vra për gjakmarrje

Iu bë atentat në Bruksel më 28 prill, ndërron jetë Agustin Kaza - dyshohet se u vra për gjakmarrje

Lajme
DASH hedh poshtë pretendimet për Escobarin: Nuk është shkarkuar, do të emërohet në një pozitë tjetër sipas rrotacionit

DASH hedh poshtë pretendimet për Escobarin: Nuk është shkarkuar, do të emërohet në një pozitë tjetër sipas rrotacionit

Lajme
Hoxha: Duke e bllokuar Kosovën në KiE, Gjermania dhe Franca anojnë kah Serbia qartazi

Hoxha: Duke e bllokuar Kosovën në KiE, Gjermania dhe Franca anojnë kah Serbia qartazi

Lajme
Kalo në kategori