LAJMI I FUNDIT:

I akuzuari në rastin “Çekiçi”: “Edhe një herë deklaroj, unë nuk e kom myt N.H.”

I akuzuari në rastin “Çekiçi”: “Edhe një herë deklaroj, unë nuk e kom myt N.H.”

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të premten, është dhënë fjala përfundimtare nga mbrojësja e të akuzuarit Gëzim Retkoceri, avokatja Kosovare Kelmendi, e cila kërkoi që i mbrojturi i saj të lirohet nga akuza.

Në këtë rast, Retkoceri akuzohet për vrasjen e tani të ndjerit N.H në prill të vitit 2009 në Lipjan.


Avokatja Kelmendi në fjalën e saj përfundtimare, të cilën e dorëzoi me shkrim dhe elaboroi në gjykatë, ndër të tjera ka thënë se gjykata ka arritur të zgjedhë misterin e çekiçit si dhe roli i tij nuk është aspak krucial në këtë çështje, pasi që nuk vërteton se i akuzuari Retkoceri ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

“Ju si trup gjykues keni arritur që të zgjedhni dhe të sqaroni misterin e çekiçit, prejardhjen e tij dhe dëshminë më mister të Xhelal Reqicës, se si ka arritur ai çekiç në gjykatë, këtë nuk keni arritur ta zbuloni. Nëse po i besojmë Xhelal Reqicës, ai ka arritur në gjykatë përmes hetuesve të EULEX, për mu si mbrojtëse, roli i çekiçit nuk është krucial, aspak në këtë çështje penale sepse i njëjti nuk ma vërteton mua se është Gëzim Retkoceri kryes i veprës penale të vrasjes së N.H”, ka thënë Kelmendi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo shtoi se sikur i ndjeri ta ishte vrarë me çekiç dhe sikur atë ta kishte vrarë tani i akuzuari Retkoceri, atëherë ai çekiç do të duhej të ekzitonte.

“Në logjikën e të sajuarit të provave, sikur i ndjeri N.H, të ishte vrarë edhe me çekiç. Po edhe sikur ta kishte vrarë Gëzim Retkoceri me çekiç, atëherë ai çekiç do të duhej të ekzistonte. Ai çekiç do të duhej të ishte me gjakun e tani të ndjerit N.H dhe ai çekiç do të duhej të ishte diku i fshehur”, tha ajo

E njëjta shtoi se në këtë kontekst logjika imponoon që çekiçi me gjak të të ndjerit është sajuar si provë.

“Dhe në atë kontekst logjika imponon që çekiçn me gjak të të ndjerit N.H. t’i sajohej si provë Xhelal Reqicës dhe që Xhelal Reqica me atë provë të sajuar por bindëse të paraqitej para prokurorisë si dëshmitar kredibil e jo që i njëjti të merrte një çekiç të vëllaut të tij sikurse ka deklaruar ai dhe të njëjtën ta përlyente me një gjak dhelpre apo lepuri sikurse ka deklaruar ai dhe me të të paraqitej në prokurori apo gjykatë”, shtoi avokatja Kelmendi.

Avokatja Kelmendi ndër të tjera ka thënë gjithashtu se është gabim nëse mendohet se dëshmitarët Gëzim Osmani dhe Xhelal Reqica e kanë ndriquar të vërtetën.

“Do të gaboheni shumë po që se mendoni se dëshmitari Osman Spahiu dhe Xhelal Reqica ua kanë ndriçuar të vërtetën në këtë çështje penale, në asnjë mënyrë vetëm është komplikuar më shumë, vetëm është mjegullu më tepër dhe madje sipas bindjes time është shumë afër mendsh që nuk do të zbulohet kurrë”, tha ajo.

Krejt në fund, avokatja Kelmendi ka thënë se nëse pyeten se përse nuk duhet të lirohet i mbrojturi i saj, atëherë duhet vetëm t’i rrudhin krahët.

“Në pyetjen pse jo, pse nuk duhet ta lironi atëherë juve vetëm ju mbetet t’i rrudhni krahët me një keqardhje dhe vetëm me një përgjigje të shkurtë me një thënie të vjetër me një parim të drejtësisë në çështjen penale të Gëzim Retkocerit, nëse edhe këtu nuk gjen zbatim parimi “in dubio pro reo”, atëherë përnime më mirë mos të ekzistojë hiç, kjo është bindja e mbrojtjes, kjo është fjala përfundimtare”, ka thënë e njëjta.

Ndërsa, në fjalën e tij përfundimtare, i akuzuari Retkoceri deklaroi se ka luftuar për tani 14 vite me drejtësi.

“Unë gjykatës e përkrahi fjalën përfundimtare të avokates, unë gjykatës që 14 vjet kam luftu me drejtësi, veç drejtësi, asgjë tjetër s’kam dashtë kurrë veç drejtësi. Për herë të fundit po kom qef me ju drejtu Halimit, familjes Hajrizi, prokurores, avokatit Berat Tmava, trupit gjykues, familjes tem, avokates tem, unë gjykatës N.H. nuk e kom myt. Edhe një herë deklaroj, unë gjykatës N.H. nuk e kom myt”, tha ai.

I njëjti gjithashtu ndër të tjera ka deklaruar se kërkon nga gjykata drejtësi, duke pyetur se kush është personi “Qeli” dhe se kush e ka shpikur atë.

“A e din mem kallxu mu dikush kush osht ‘Qeli’? Kush e shpiki atë ‘qel’. Nuk du me kërku asgjë pe du drejtësinë. Për ‘Qelat’ se kush janë ata ‘Qela’ duhet me gjetë policia hetuese Osman Spahiu edhe prokuroria duhet mi gjetë kta, qysh i kanë kurdisë le t’i gjejnë”, tha i akuzuari.

Krejt në fund, ai tha se nuk ka çfarë të shtojë tjetër dhe se kërkon vetëm drejtësi.

“S’kam çfarë të shtoj më shumë, veç du drejtësi, edhe pas 20 vite 30 vite drejtësia do të dalë gjaku, nuk do të humb kurrë edhe unë jam në burg edhe asnjë njeri nuk është më i kënaqur që të del drejtësia për këtë rast se unë”, tha i akuzuari Retkoceri.

Në fund të seancës, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Vesel Ismajli në bazë të nenit 355, par.3 të Kodit të Procedurës Penale i ka lejuar prokurores Fikrije Fejzullahu disa përgjigje në fjalën përfundimtare të avokates Kelmendi.

Prokurorja Fejzullahi ka thënë se prokuroria në fjalën e saj përfudnimtare është deklaruar se qëndron pranë të gjitha provave të administruara.

“Mbrojtja deklaroi se prokuroria në fjalën e saj përfundimtare është thirrur vetëm në dy dëshmi, gjë që prokuroria e konteston sepse për të gjitha provat tjera materiale dhe jomateriale. Për shkak të ekonomizimit të kohës prokurorja në fjalën e saj është deklaruar se mbetet në tërësi pranë këtyre provave të administruara, në të gjitha shqyrtimet gjyqësore paraparake përfshirë edhe këto të fundit dhe nuk e ka pa të udhës që për të tretën herë t’i elaborojë një nga një. Gjithashtu mbrojtja i vuri theks dëshmisë së dëshmitarit Xhelal Reqica dhe çekiçin enigmaitk duke e quajtur sajesë e këtij dëshmitari”, ka deklaruar e njëjta.

Në lidhje me këtë, avokatja deklaroi se nuk ka thënë që prokuroria mbështetet vetëm tek dëshmitarët Reqica dhe Osmani, mirëpo janë prova kruciale për ta.

“Sa i përkët dëshmitarit Xhelal Reqica, sajesa sipas deklarimit të tij ka qenë e tij, asnjëherë nuk ka thënë ai, Bashkim Retkoceri nuk ka qenë ta sajojë kështu dhe fjala përfundimtare të cilën unë e citova të prokurores ku thashë Xhelal Reqica dhe Osman Spahiu, nuk thashë prokuroria janë thirrë vetëm në këto prova por thashë janë prova kruciale për prokurorinë të cilat vërtetojnë se Gëzim Retkoceri ka kryer veprën”, deklaroi ajo.

Shpallja e aktgjykimit për këtë çështje penale u caktua më 12 tetor 2022.

Ndryshe, Retkoceri po akuzohet se më 29 prill 2009, së bashku me një person të panjohur me nofkën “Qeli”, e kishin privuar nga jeta tani të ndjerin N.H, ashtu që pas rrëmbimit të ndjerin e kishin goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart, e ku më pas viktimës ia kishin djegur trupin me qëllim të fshehjes së gjurmëve.

Në këtë rast, i akuzuar për vrasje të rëndë në bashkëkryerje ishte edhe Osman Spahiu, por pas ricilësimit në fjalën përfundimtare të shqyrtimit të kaluar gjyqësor nga ana e prokurores Fikrije Krasniqi-Fejzullahu, Spahiu ishte akuzuar për dhënien e ndihmës në kryerjen e kësaj vepre penale, për çka edhe e kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me 10 vjet burgim.

Ndërkaq, Retkoceri ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Aktgjykimi në këtë rast ishte shpallur nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 21 janar 2020, por që kundër këtij aktgjykimi ishte ushtruar ankesë nga mbrojtja dhe prokuroria.

Lidhur me këto ankesa, kolegji i Apeli kishte mbajtur seancën më 15 korrik 2020. Pas shqyrtimit të ankesave, kolegji i përbërë nga gjyqtarët, Tonka Berishaj, Driton Muharremi dhe Vaton Durguti, kishte vendosur që të aprovojë si të bazuar ankesën e mbrojtëses së të akuzuarit Retkoceri, avokates Kosovare Kelmendi kurse ankesat e prokurorisë dhe palës së dëmtuar i ka vlerësuar si jo lëndore tani për tani.

“Gjykata e Apelit më vëmendje ka shqyrtuar aktgjykimin e shkallës së parë, ankesën e mbrojtëses të të akuzuarit si dhe shkresat e lëndës dhe vlerëson se përsëri aktgjykimi i shkallës së parë në këtë rast penal është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale si dhe vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike”, thuhej në aktgjykimin e Apelit.

Sipas aktgjykimit të Apelit, duke qenë se kjo lëndë edhe njëherë tjetër ishte kthyer në rigjykim në shkallën e parë, kjo e fundit, sipas Apelit, në masë të madhe nuk i kishte përfillur udhëzimet e dhëna nga gjykata e shkallës së dytë.

Sipas vlerësimit të Apelit, shkalla e parë nuk ka dhënë arsye për faktet vendimtare duke pas kundërthënie në mes dispozitivit dhe aktgjykimit si pasojë e mos arsyetimit të secilës provë veç e veç dhe duke mos i ndërlidhur me njëra-tjetrën për të ardhur deri te një gjendje faktike e drejtë dhe e plotë.

Sipas Apelit, shkalla e parë nuk analizuar dhe vlerësuar provat si të vetme se çka vërtetojnë dhe të gjitha provat e ndërlidhura me njëra-tjetrën çfarë gjendje faktike vërtetojnë. Po ashtu, sipas aktgjykimit të Apelit, shkalla e parë nuk ka specifikuar veprimet inkriminuese të secilit të akuzuar në raport me kryerjen e eventuale të vrasjes.

Siç thuhet në aktgjykimin e Apelit, nuk janë dhënë arsye në aktgjykimin e shkallës së parë se ku janë marrë njollat e gjakut të cilave iu është bërë profili i ADN-së dhe të cilat rezultuan se i takojnë tani të ndjerit N.H. Pastaj, nuk është sqaruar çështja e gjetjes së bykut të drurit dhe nuk është sqaruar çështja e çekiçit gjegjësisht si ka arritur i njëjti në gjykatë dhe cila është rëndësia e të njëjtit në këtë çështje penale.

“Këto udhëzime të Gjykatës së Apelit edhe pse të detyrueshme për gjykatën e shkallës së parë nuk janë përfillur dhe të njëjtat kanë pasur edhe në aktgjykimin tjetër i cili është objekti i vlerësimit tani nga kolegji i kësaj gjykate”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Në fund, Apeli thekson se gjykata e shkallës së parë ka lirinë e veprimit rreth vlerësimit të provave ndërsa Gjykata e Apelit vetëm bën rivlerësimin e provave dhe nëse gjen gabime, vetëm në raste të jashtëzakonshme bën administrimin e provave me hapjen e shqyrtimit në shkallë të dytë. Në rastin konkret, Apeli thekson se ka gjetur se përshkrimi faktik nuk është bërë si duhet në aktgjykim dhe se arsyetimi është i pamjaftueshëm.

Ndryshe, ky rast ishte kthyer edhe më herët në rigjykim nga Gjykata e Apelit, më 4 maj 2016. Apeli kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila më 7 korrik 2015, dy të akuzuarit për vrasjen e N.H, Gëzim Retkoceri dhe Osman Spahiu i kishte dënuar me nga 30 vjet burgim.

Me rastin e kthimit në rigjykim, Gjykata e Apelit, kishte konstatuar se Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shkelur dispozitat e procedurës penale dhe se dispozitivi i aktgjykimit nuk ishte hartuar ashtu siç parashihet me Kodin e Procedurës Penale.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Retkocerin po e akuzon se më 29 prill 2009, me qëllim që vetit t’i sjellin dobi pasurore, së bashku me një person të panjohur me nofkën “Qeli”, e kishin rrëmbyer tani të ndjerin N.H, me qëllim që ta privojnë nga jeta.

Sipas aktakuzës, tani të ndjerin N.H e kishin goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart, e kishin vrarë tani të ndjerin, pastaj e kishin dërguar në një lokacion ndërmjet fshatit Smallushë dhe Dobratin dhe për të fshehur gjurmët, e kishin djegur trupin e tij.

Në trend Lajme

Më shumë
Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Arsim
A do t'i

A do t'i "shpëtojë" Albin Kurti Asociacionit të komunave me shumicë serbe, flasin analistët

Lajme
Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Arsim
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
​Kurti: Anëtarësimi në KiE, hapi i parë drejt bashkimit me familjen evropiane

​Kurti: Anëtarësimi në KiE, hapi i parë drejt bashkimit me familjen evropiane

Lajme
“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Drejtësi
Kalo në kategori