Rasmus Hojlund ka folur për kohën e tij te Manchester United dhe thotë se ndihej se ishte paraqitur mirë, veçanërisht gjatë sezonit të tij të parë në ‘Old Trafford’.

Sulmuesi danez më pas u largua me një huazim njëvjeçar te skuadra e Serie A, Napoli, dhe aktualisht po shkëlqen nën drejtimin e Antonio Contes, duke e bërë të mundur që qëndrimi i tij te klubi italian të bëhet i përhershëm.


Hojlund ka shënuar gjashtë gola në 12 ndeshje në kampionatin italian, duke ndihmuar Napolin të ngjitet në vendin e tretë në tabelë, vetëm dy pikë pas udhëheqësve, Interit.

Transferimi përfshinte gjithashtu një opsion blerjeje, i cili pritet të aktivizohet nëse Napoli kualifikohet në Ligën e Kampionëve.

Sulmuesi foli gjithashtu për largimin e tij nga United dhe arsyet pse duhej të niste një aventurë të re.

“United më bëri të qartë që nuk bëja pjesë të planeve për këtë sezon. Duke ardhur në sezon, dhe pa futboll evropian, mendoj se Napoli pa një mundësi për të më marrë”.

“Sapo dëgjova për interesin e tyre, i bëra të qartë ekipit tim dhe njerëzve rreth meje që doja vetëm të shkoja atje. Kam pasur disa biseda të mira me trajnerin dhe me drejtorin sportive”.

Sulmuesi foli më pas për bisedën e tij me Conten rreth transferimit.

“Nuk zgjati shumë. Mendoj se të dy ishim të qartë që ishte një hap i mirë për mua dhe një përputhje e mirë. Ishte një bisedë e shkurtër, por shumë e mirë”.

“Ai është një trajner i jashtëzakonshëm, unë pothuajse gjithmonë kam parë që ai bën gjëra të mira kudo ku ka qenë. Sigurisht, kjo ishte një pjesë e madhe e vendimit. Kur të thërret ai, thjesht duhet të thuash po”, ka deklaruar Hojlund./Telegrafi/

telegrafi sport app