LAJMI I FUNDIT:

Raporti mbi transparencën e Prokurimit Publik, Kosova ngec në fazën para dhe pas tenderimit

Pavarësisht vlerësimeve të larta lidhur me transparencën e Prokurimit Publik, Kosova ka ngecje në fazën e para dhe pas tenderimit.

Kështu vlerëson raporti më i ri “Vlerësimin të Transparencës së Prokurimit Publik (TRPP)”, prezantuar nga Lëvizja FOL.


Sipas hulumtueses, Yllka Buzhala ky raport ka bërë vlerësimin e legjislacionit, e jo pjesës praktike të prokurimit.

“Jemi vendi që iu kemi bashkuar kësaj inciative ndërkombëtare, pra jemi vendi i 42-të. Kjo nënkupton që është bërë vetëm vlerësimi i legjislacionit kosovar, qoftë të ligjeve apo atij sekondar. Për sa i përket prokurimit publik, pra nuk është bërë ndonjë vlerësimi i pjesës praktike të zbatimit të këtij Ligji, mirëpo është matur përmes disa indikatorëve se sa transparent dhe se sa promovon konkurrencë e të ngjashme”, tha Buzhala për Telegrafin.

Ajo thekson se Kosova është vlerësuar me 83 për qind nga 42 vendet pjesëmarrëse, duke shtuar se këto rekomandime do të bashkërendohen në Ligjin e ri të Prokurimit Publik.

“Kosova është e vlerësuar deri në 83 për qind që i bjer që është në vend të mirë. Për sa i përket vendeve të Ballkanit është Kosova dhe Shqipëria”, thekson ajo.

“Për sa i përket aspektit legjislativ, por pse kemi vendosur ta bëjmë një vlerësim të tillë, pse kemi vendosur që t’i vlerësojmë këta indikatorë të metodologjisë është arsyeja se ne jemi në fazën e draftimit të Ligjit për Prokurim Publik. Tashmë është përfunduar, do të jetë në agjendën qeveritare diku në qershor të këtij viti. Gjatë procesit të konsultimeve publike, duke i përdorur këto rekomandime në një farë mënyre t’i bashkërendojmë për draftin e legjislacionit të ri”, shton ajo.

Yllka Buzhala, hulumtuese në Lëvizja FOL

Buzhala thotë se Kosova te aspekti i transparencës është vlerësuar me 56 për qind.

“Pavarësisht që kemi dal mirë në vlerësimin e indikatorëve dhe komponentëve të ndryshëm që i ka pasur kjo metodologji, te aspekti i transparencës jemi diku 56 për qind. Kjo i bie që pavarësisht që krenohemi për prokurim publik se e kemi arritur një transparencë – duke i krahasuar ndër vite. Transparenca nuk nënkupton që vetëm se ti ke qasje në dokumente, mirëpo këto informata duhet të jenë të lexueshme nga makinat”, thotë Buzhala.

Hulumtuesja nga organizata FOL shprehet se Kosova ngec në dy faza të tenderimit, për sa i përket vlerësimit rreth Prokurimit Publik.

“Për sa i përket vlerësimeve, ngecim në fazën e para tenderimit dhe pas tenderimit. Një fazë e rëndësishme është edhe menaxhimi i kontratave. Ne si shoqëri civile nuk kemi qasje në menaxhimin e kontratave, përpos autoriteteve kontraktuese”, shprehet ajo.

“Po ashtu, nuk kemi qasje as në dokumente tjera për sa i përket faturave të ndryshme. Nga kjo po kërkojmë që të kemi qasje që të janë të lexueshme nga makinat, që këto informata të mos presin përmes kërkesave për informata zyrtare”, shton Buzhala.

Tutje, ajo thotë se qytetarët e thjeshtë nuk mund të qasen në e-Prokurim nëse nuk janë persona juridik.

“Qytetarët e thjeshtë nuk mund të qasen në e-Prokurim nëse nuk janë persona juridik, që i bjer OJQ, biznese apo institucione të cilat konkurrojnë në procedurat e prokurimit publik”, thotë ajo.

Në fund, Buzhala thekson se ka zbrazëti ligjore në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

“Për sa i përket OSHP-së, kjo ka të bëjë me aspektin praktik. Ata e kanë një zbrazëti ligjore, do të thotë se nuk mund të funksionoj pa Bord, për derisa KPK-ja e ka një gjë të tillë. Këtu ngec Ligji, mirëpo ne e kemi marr kornizën e përgjithshme ligjore në aspektin e transparencës, efikasitetit dhe konkurrueshmërinë”, përfundon Buzhala.

Kosova i është bashkuar “Vlerësimit të Transparencës së Prokurimit Publik (TPPR)” si vendi i 42-të i vlerësuar në kuadër të iniciativës ndërkombëtare të Institute for Development of Freedom of Information (IDFI). Ky vlerësim është bërë përmes një metodologjie për vlerësimin e legjislacionit të Prokurimit Publik, me qëllimin përfundimtar për të identifikuar pikat e forta dhe të dobëta të kornizave ligjore dhe zbatimin e tyre. /Telegrafi/