LAJMI I FUNDIT:

Raporti i Komisionit Evropian, ku ngeci Kosova?

Raporti i Komisionit Evropian, ku ngeci Kosova?

Komisioni Evropian, pas takimit të Kolegjit të Komisionerëve, ka miratuar raportin vjetor për Kosovën, për vitin 2023.

Në raport si pikë kryesore theksohet dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.


Aty thuhet se të dyja vendet përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të BE-së, ende nuk kanë filluar t’i zbatojnë obligimet që dalin pikërisht nga Marrëveshja e Brukselit.

“Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit.

Detyrimet e Kosovës për themelimin e Asociacionit

Sipas raportit, drafti i muajit maj të këtij viti, i paraqitur në takimin e nivelit të lartë të dialogut, që ishte propozuar nga Serbia është hedhur poshtë, pasi theksohet se nuk ka qenë në përputhje me marrëveshjet e dialogut.

Andaj, BE-ja kërkon që Asociacioni të themelohet në bazë të propozimit të fundit që palëve u është dhënë më 21 tetor në Bruksel. Kosovës dhe Serbisë u kërkohet të kenë “sjellje konstruktive” në nismat rajonale.

“Kosova duhet të mbajë zotimet e saj të Dialogut dhe të angazhohet për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të kaluara të Dialogut dhe Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit të saj”.

Po ashtu, zgjedhjet e parakohshme lokale duhet të mbahen sa më shpejt në të katër komunat, të organizuara në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse dhe me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës.

Masat e BE-së ndaj Kosovës nuk kanë lëvizur, për shkak të mungesës së hapave vendimtarë për të de-përshkallëzuar, dhe në përputhje me deklaratën e 3 qershorit.

Andaj BE-ja po zbaton një sërë masash përballë Kosovës, të cilat gjithashtu ndikojnë në mbështetjen financiare.

Këto masa janë të përkohshme dhe plotësisht të kthyeshme, në varësi të hapave të ndërmarra për de-përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës.

Raporti thotë se Kosova ka ndërmarrë hapa në drejtimin e duhur, por mbetet ende për të bërë.

Detyrimet e Serbisë

Raporti i KE-së thekson se Beogradit i kërkohet ta mbështesë këtë proces, dhe menjëherë ta nis përmbushjen e obligimeve të veta kyçe nga Marrëveshja.

Të zbatojë marrëveshjen për menaxhimin e përbashkët të kufirit (IBM), të bëjë mbylljen e rrugëve ilegale për kalimin e vijës kufitare, po ashtu të zgjidhë çështjen e lëshimit të targave të veturave “KM, PR, PZ” etj.

Serbia fajësohet se nuk ka zbatuar marrëveshjen për kadastrat.

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, më 2 shtator të vitit 2011, në kuadër të dialogut teknik të zhvilluar në Bruksel arritën marrëveshje për çështjen e regjistrave kadastralë. Qëllimi ishte që të kthehet dokumentacioni kadastral i Kosovës nga Serbia dhe të plotësohen të dhënat kadastrale të saj.

Në bazë të marrëveshjes, Kosova ishte zotuar të formojë Agjencinë Kosovare për Krahasimin dhe Verifikimit e Pronave (AKKVP) ndërsa Serbia, përmes financimit të Bashkimit Evropian t’i skanojë dokumentet origjinale të kadastrit dhe t’ia kthejë ato Kosovës.

Kthimi i tyre parashihej të bëhej përmes Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, por që kjo gjë kurrë s’kishte ndodhur.

Serbisë i kërkohet t’i respektojë obligimet për pjesëmarrjen e Kosovës, ndërsa Kosovës të mos i mbajë të bllokuara proceset siç bën, sipas këtij raporti, si në rastin e CEFTA-s.

Sipas raportit të KE-së, Serbia është fajtore për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 dhe bojkotin e tyre të zgjedhjeve lokale të prillit të vitit 2023.

BE-ja këtë vepriun e ka konsiderur si “shkelje të obligimeve të Serbisë nga dialogu, që paraqet kthim të madh mbrapa të Serbisë në përmbushjen e obligimeve nga marrëveshja e parë për parimet për normalizimin e marrëdhënieve dhe shkelje direkte të marrëveshjes për drejtësinë të vitit 2015″.

“Serbia duhet t’i bindë serbët e Kosovës që të kthehen pa vonesë në institucione përkatëse, po ashtu edhe Kosova të krijojë kushte përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve”.

Hapja e Urës së Ibrit

Në raportin e KE-së përmëndet edhe hapja e Urës së Ibrit.

Hapja e urës kryesore për trafik ishte paraparë edhe me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, në kuadër të të ashtuquajturit “rivitalizim i urës”.

Kjo marrëveshje është arritur nga Kosova dhe Serbia në vitin 2014, me qëllim heqjen e barrikadave dhe funksionalizimin e urës. Por që atëhërë ka mbetur vetëm dëshirë, pasi mbi urë mund të kalojnë vetëm qytetarët.

Marrëveshja për energjinë

Raporti përmend edhe obligimin që kanë palët për energjinë.

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në 21 qershor të vitit 2022 kanë arritur pajtueshmëri për zbatimin e marrëveshjes ekzistuese për energjinë.

Aty përmendet që Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) do të lëshojë licencë për kompaninë serbe, “Drustvo Elektrosever D.O.O.” dhe do të sigurojë se puna e kompanisë do të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës.

Në dokument thuhet që brenda shtatë ditëve të lëshimit të licencës, Elektrosever do t’i ofrojë Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS dhe Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë – KOSTT të dhënat më të fundit për konsumatorët, nën ndërmjetësim të BE-në.

Serbët në komunat në veri të Kosovës nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada.

Sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit

Në raport janë përmendur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, pas sulmit terrorist në veri, ku mbeti i vrarë një zyrtarë i Policisë së Kosovës, dhe tre të tjerë u plagosën.

BE pret që autorët të kapen dhe të sillen shpejt para drejtësisë dhe Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm në këtë drejtim.

Komisioni Evropian miraton Raportin e Progresit për Kosovën, këto janë të gjeturat kryesore
Lexo po ashtu Komisioni Evropian miraton Raportin e Progresit për Kosovën, këto janë të gjeturat kryesore

Kosova, sipas raportit, ka ndikuar në rritjen e tensioneve me praninë e shtuar të njësive speciale të Policisë dhe me Ligjin për shpronësim në veri.

Sistemi gjyqësor 

Në Raportin e Progresit për Kosovën, në shumicën e fushave që vlerësohen, Komisioni Evropian ka thënë se Kosova ka shënuar “përparim të kufizuar”.

Sipas raportit, Kosova është ende në një fazë të hershme në zhvillimin e një sistemi gjyqësor që funksionon mirë.

Aty thuhet se ka pasur progres të kufizuar gjatë periudhës raportuese.

“Mbetet nevoja për të forcuar mjetet ekzistuese që mbrojnë integritetin, përgjegjshmërinë, pavarësinë dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë”.

“Ministrja e Drejtësisë dhe krerët e institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë nënshkruan një deklaratë të përbashkët angazhimi dhe plan veprimi për reformën në drejtësi”.

Nevojitet një përkushtim më i madh për të arritur rezultate të prekshme.

Sa i përket korrupsionit, raporti thekson se Kosova është në mes të një faze të hershme dhe një niveli të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit.

Në raport thuhet se është bërë përparim i kufizuar gjatë periudhës raportuese dhe korrupsioni mbetet një çështje shqetësuese.

“Ndërsa vitin e kaluar Kuvendi miratoi legjislacion të rëndësishëm kundër korrupsionit dhe korniza ligjore për konfiskimin penal është avancuar, mbetet shumë për t’u bërë për zbatimin e legjislacionit kundër korrupsionit”.

“Pavarësisht përmirësimit të performancës së Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, mjetet parandaluese kundër korrupsionit të përcaktuara në legjislacion ende nuk janë përdorur plotësisht”.

Po ashtu Kosova duhet të shtojë përpjekjet për të pasur hetime më proaktive, vendime gjyqësore përfundimtare dhe konfiskim përfundimtar të aseteve.

Raporti thekson se është bërë përparim i kufizuar në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të krimit të organizuar.

Kosova ka miratuar një strukturë të re organizative policore dhe ka përmirësuar kapacitetet e inteligjencës dhe analizës. Operacionet e zbatimit të ligjit kundër krimit të organizuar vazhduan. Përkundër kësaj, mjetet e fuqishme të parapara me Kodin Penal dhe Ligjin për kompetencat e zgjeruara të konfiskimit ende nuk janë shfrytëzuar plotësisht.

Theksohet se lufta kundër krimit të organizuar në veri të Kosovës vazhdon të jetë sfiduese.

Kosova mbeti aktive në luftën kundër terrorizmit dhe luftën kundër dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

“Kuadri ligjor për antiterrorizmin është pjesërisht në përputhje me acquis të BE-së dhe standardet ndërkombëtare. Ligji për luftimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit ende nuk është ndryshuar. Autoritetet duhet të jenë më efektive në përpjekjet e tyre për të luftuar pastrimin e parave”, thuhet në raport.

Liria e shprehjes

Sipas raportit, është bërë përparim i kufizuar në adresimin e rekomandimeve të raportit të mëparshëm.

Shqetësimet mbeten në lidhje me sulmet dhe kërcënimet fizike, fushatat e shpifjeve publike dhe gjuhën e urrejtjes.

Veçanërisht shqetësuese është mungesa e lirisë së shprehjes në veri të Kosovës. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Parlamenti britanik miratoi mocionin e Alicia Kearns për Kosovën

Parlamenti britanik miratoi mocionin e Alicia Kearns për Kosovën

Lajme
Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Lajme
Hapi i fundit i Kosovës për anëtarësim në KiE, Serwer : Indinjata e Serbisë është e turpshme

Hapi i fundit i Kosovës për anëtarësim në KiE, Serwer : Indinjata e Serbisë është e turpshme

Lajme

"Kushtëzimi" i anëtarësimit të Kosovës në KiE, Musliu-Shoshi: Ndërkombëtarët nuk po kërkojnë asgjë çka nuk është dakorduar Kurti në marrëveshjen e Ohrit

Elfije Boletini
“Në hava kam me t’çu se e kam vajzën deputete”, Deliu-Kodra me kritika të ashpra ndaj deputetes së LVV-së duke ia kujtuar rastin e 90-vjeçarit

“Në hava kam me t’çu se e kam vajzën deputete”, Deliu-Kodra me kritika të ashpra ndaj deputetes së LVV-së duke ia kujtuar rastin e 90-vjeçarit

Lajme
Mashtrime me vlerë 10 milionë euro, SPAK operacion kundër Call Center

Mashtrime me vlerë 10 milionë euro, SPAK operacion kundër Call Center

Lajme
Kalo në kategori