Ramë Lahaj: E turpshme që kosovarët edhe në vitin 2023 të mos mund të lëvizin të lirë, kur dihet që janë plotësuar të gjitha kushtet

Tenori me famë ndërkombëtare, Ramë Lahaj, shpesh përmes rrjeteve sociale trajton ngjarje e tema të përditshme në të cilat përfshihet edhe Kosova.
Ai së fundmi përmes një postimi të shpërndarë në Facebook ka treguar për problemet që janë ballafaquar artistët e rinj nga stafi i “Ramë Lahaj International Opera Festival”.
Artisti nga Istogu theksoi që procesi i aplikimit për viza, për disa të rinj që do të udhëtonin drejt Evropës, për aktivitete, ishte i ndërlikuar, me termine të vështira dhe ‘kërkesa e dëshmi banale’.

Postimi i plotë i Lahajt (pa ndërhyrje):
“U bënë vite që Kosova negocion e plotëson çdo kusht për të marr të drejtën elementare të lëvizjes së lirë, atë të liberalizimit të vizave. Në platformën e festivalit tonë RLIOF qëllimin kryesor e kemi mbështetjen e talenteve të rinj, këto dit stafi ynë u përballu me proceset e aplikimit të vizave për disa prej artisteve të rinj, që do të udhëtojnë për disa aktivitete në Evropë. Aplikacione të ndërlikuara, termine që mezi i bën, kërkesa e dëshmi banale! Është vërtet e pa pranueshme dhe e turpshme që Kosovaret edhe në vitin 2023 të mos mund të lëvizin të lirë, kur dihet që janë plotësuar të gjitha kushtet dhe që një pjesë e madhe e jona veçse jeton në shtete evropiane”. /Telegrafi/































































