LAJMI I FUNDIT:

Ramazani filloi, por është njerëzorja e jo besimi im mysliman që më shtyn të qaj për Gazën

Ramazani filloi, por është njerëzorja e jo besimi im mysliman që më shtyn të qaj për Gazën

Nga: Tahmima Anam, shkrimtare / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Nuk kam qenë myslimane e devotshme. Nuk agjëroj as nuk falem. Nuk kam qenë kurrë në Mekë për të bërë pelegrinazhin e haxhit. E kam lexuar Kuranin vetëm në anglisht – jo në arabisht, siç bëjnë shumë fëmijë nga Bangladeshi.


Në vend që të mësoja vargjet arabe, u rrita me një dietë të Marksit, Maos dhe teologjisë çlirimtare. Leximi im para gjumit ishin letrat e Nehruit, Nga babai për vajzën, të cilat janë shkruar teksa ishte i burgosur – së bashku me Mahatma Gandhin, gjatë luftës së Indisë për pavarësi.

Si shumë burra dhe gra të brezit të tyre, prindërit e mi ishin luftëtarë të lirisë në luftën e pavarësisë së Bangladeshit. Ajo luftë nuk ishte për fenë; në fakt, bëhej fjalë për refuzimin e një identiteti ekskluzivisht fetar. Kur britanikët u larguan nga India duke e lënë të ndarë në dy pjesë në vitin 1947, e krijuan pamundësinë gjeografike të një vendi: Pakistani, i ndarë në mënyrë të pariparueshme midis Lindjes dhe Perëndimit, në dy gjysma njerëzit e të cilave flisnin gjuhë të ndryshme dhe kishin marrëdhënie krejtësisht të ndryshme me Islamin.

Si pakistanezë bengalezë lindorë, në luftën për vetëvendosje prindërit e mi si primare e privilegjuan bengalinë e tyre – identitetin e tyre laik, kulturor, jofetar. Sot, bangladeshasit janë në pjesën më të madhe myslimanë të devotshëm – megjithatë shënojmë festivale kulturore, simbolika dhe ikonografia e të cilave janë rrënjosur në traditën sinkretike në të cilën kanë lindur.

Lëvizja për pavarësinë e Bangladeshit dhe lëvizja për çlirimin e Palestinës kanë qenë gjithmonë aleate. Fatet tona u vulosën në mënyrë të ngjashme në vitin 1947, dhe midis daljes së britanikëve dhe fundit të Pakistanit të bashkuar ne ekzistuam në botë paralele. Organizata për Çlirimin e Palestinës, si Lidhja Avami, bazohej në parimet laike të lirisë kombëtare. Por, në vitin 1971 ne e arritëm lirinë, jo edhe ata. Babai im ma kujtonte këtë fakt kur isha duke u rritur – ishte atu që do ta përdorte sa herë që paramendonte se po i merrja si të mirëqena liritë e mia. “Të paktën e ke një vend”, më kujtonte ai. “Kam lindur në Pakistanin Lindor; ti ke lindur në Bangladeshin e çliruar. Imagjino sikur të kishe lindur në Palestinë”.

Fjalët e tij kanë jehonë të thellë për mua në këto 156 ditët e fundit, teksa kemi qenë dëshmitarë të vuajtjeve të paimagjinueshme të popullit të Gazës. Nuk ka asnjë gjuhë që të përfshijë 30 700 vdekjet, pengimin e ndihmave, bombardimet e spitaleve dhe të kampeve të refugjatëve, dhe tani uria e një popullsie të tërë nën rrethim.

Kam qenë mjaft me fat që kam pasur dy modele që demonstruan si përkushtimin fetar ashtu edhe përkushtim ndaj vlerave laike të barazisë dhe të drejtësisë. E para është nëna ime e cila falet pesë herë në ditë, por që ka festuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas duke marshuar në rrugët e Dakës duke e kërkuar fundin e të gjitha formave të shtypjes ndaj grave. E dyta është nëna e saj e cila ishte e ve e re dhe e cila i rriti fëmijët përkundër vështirësive; besimi i saj ishte burim i madh force në luftën e përjetshme kundër varfërisë dhe problemeve duke qenë nënë vetushqyese.

Për feministet islamike, vizioni kuranor i një komuniteti fetar pa kler, në të cilin adhuruesit kanë marrëdhënie të drejtpërdrejtë, të pandërmjetësuar dhe demokratike me Zotin, është baza për besimin që përqafon barazinë gjinore. Më pëlqen ky interpretim, por në përvojën time të ngushtë, feja nuk ka ecur dorë për dore me drejtësinë, dhe kështu e kam shmangur. Rezistoj të identifikohem si shkrimtare myslimane; më vjen keq kur njerëzit i referohen botës myslimane, thuajse ekziston një gjë e tillë homogjene. Por, në këtë dimër, teksa banorët e Gazës i janë nënshtruar ndëshkimit kolektiv, ndërsa nënat e Gazës kanë mbajtur qefinët e fëmijëve, pyes veten nëse është koha për ta përqafuar besimin tim.

Muaji i Ramazanit po fillon. Në shtëpinë time në Daka, prindërit e mi do të ngrihen para agimit, do të hanë një vakt nën ndriçimin e hënës dhe do të agjërojnë deri në perëndim të diellit. Familjet do të mblidhen për vaktin e iftarit; njerëzit do të thonë lutjet e gjata të teravive – lidhja e tyre me besimin e tyre thellohet përmes përvojës globale, kolektive të lutjes dhe agjërimit.

E, megjithatë, ministri izraelit Amihai Eliyahu, i cili më parë ka sugjeruar se Izraeli mund të përdor armë bërthamore në Gazë, ka bërë thirrje për të “fshirë” muajin e Ramazanit. Ky është vetëm një shembull i vogël i çnjerëzimit sistematik të palestinezëve dhe i racizmit e islamofobisë të përhapur antipalestineze. Nivelet e paprecedentë të dhunës janë përballur, këtu, në Mbretërinë e Bashkuar, me përpjekjet për ta kriminalizuar mospajtimin.

Por, kjo nuk është dhe nuk duhet të jetë çështje e solidaritetit fetar. Zemërimi im për atë që po ndodh në Gazë – dhe mënyra se si jemi bërë për ta dëshmuar atë në heshtje dhe pa protestë – nuk vjen nga ndjenja e solidaritetit me myslimanët e tjerë. Nuk duhet të na thyhet zemra për atë që po ndodh në Gazë sepse jemi myslimanë, por thjesht sepse jemi njerëz. Sido që të jetë, ngjarjet e fundit janë përkujtues se angazhimet ndaj identiteteve të caktuara, qofshin ato etnike, fetare apo kombëtare, mund të na e mpijnë njerëzimin dhe të na verbojnë ndaj formave të dhunës institucionalisht të sanksionuar. Si mund ta shpjegojmë ndryshe bombardimin e vazhdueshëm të civilëve ose zinë e afërt të bukës?

Do të ishte gabim të barazohej solidariteti fetar me njerëzimin bazik. Siç e ka thënë Kamila Shamsie, kjo është çështja përcaktuese morale e kohës sonë dhe ne duhet, si myslimanë ashtu edhe si jomyslimanë – në Ramazan dhe në çdo kohë të vitit – t’i bashkojmë duart për t’ia dhënë fundin dhunës. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Ali Lajçi për pranverën shqiptare ’81

Ali Lajçi për pranverën shqiptare ’81

Kulture
Thënie të Bajronit: Nëse do që 100 italianë të heshtin, vrit një; nëse do që 100 shqiptarë të heshtin, duhet të vrasësh 99

Thënie të Bajronit: Nëse do që 100 italianë të heshtin, vrit një; nëse do që 100 shqiptarë të heshtin, duhet të vrasësh 99

Kulture
Viti 1968: Demonstratat, për ndryshim...

Viti 1968: Demonstratat, për ndryshim...

Agron Shala
BERKELEY ST BRIDGE

BERKELEY ST BRIDGE

Poezi
Të jesh inteligjent do të thotë të dish se sa idiot je

Të jesh inteligjent do të thotë të dish se sa idiot je

Fjala+
GJUHA SHQYPE

GJUHA SHQYPE

Poezi
Kalo në kategori