LAJMI I FUNDIT:

Ramadani: Nëse pjesëtarët serbë nuk kthehen në FSK, i zëvendësojmë me të tjerë nga ky komunitet

Ramadani: Nëse pjesëtarët serbë nuk kthehen në FSK, i zëvendësojmë me të tjerë nga ky komunitet

Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Burim Ramadani ka thënë se pret që pjesëtarët serbë të FSK-së, të cilët kanë kërkuar lirim nga detyra, do t’u kthehen shpejt detyrave të tyre brenda kësaj force.

Ai ka deklaruar se është presioni i Beogradit zyrtar forca shtytëse e këtyre largimeve, por ka nënvizuar se nëse ata nuk kthehen do të zëvendësohen me të tjerë – marrë parasysh faktin se ka interesim nga komuniteti serb për të qenë pjesë e FSK-së.


“Nuk konsiderohen si të larguar nga FSK-ja (pjesëtarët serbë), sepse ka një procedurë tjetër shqyrtimi. Besoj që shumica prej tyre as nuk do të vazhdojnë ta kenë këtë kërkesë. Ajo që ka ndodhur dje është se ka pasur kërkesë nga tetë pjesëtarë për largim nga detyra. Pastaj jemi takuar me ta për t’i kuptuar arsyet e tyre, jo për t’i bindur ndryshe”, tha Ramadani, në Info Magazine të Klan Kosovës.

Nojkiq: Nën presionin e Beogradit, serbët po e braktisin FSK-në
Lexo po ashtu Nojkiq: Nën presionin e Beogradit, serbët po e braktisin FSK-në

“Thelbi i gjithë kësaj që po ndodhë është presioni nga Serbia, qoftë ndaj tyre, qoftë ndaj familjarëve të tyre, në forma direkte apo indirekte. Është një varg presionesh ndaj tyre dhe dikush mund të jetë më i ndjeshëm. Por mund të them me përgjegjësi të plotë se kjo nuk e bën FSK-në jo-multietnike. Ajo është më multietnike se struktura e popullatës”.

Tetë pjesëtarë serbë kërkojnë demobilizm nga FSK-ja, shkaku i presionit nga Beogradi
Lexo po ashtu Tetë pjesëtarë serbë kërkojnë demobilizm nga FSK-ja, shkaku i presionit nga Beogradi

“Unë jam i bindur që kjo nuk do të ndikojë negativisht në të ardhmen e FSK-së, sepse në fund të fundit gjithçka është vullnetare. Institucionet e vendit po bëjnë gjithçka munden për t’ua bërë të mundshme të ecin përpara në karrierë. Ka interesim nga komuniteti serb për t’u bërë pjesë e FSK-së. Nëse ata nuk kthehen do të zëvendësohen me pjesëtarë tjerë të komunitetit serb”, tha zëvendësministri.

Ai tha se ky është moment kur duhet ngritur zëri në formë të përbashkët, që të ndalet përgjithmonë ky dëmtim që po u bëhet serbëve të Kosovës.