LAJMI I FUNDIT:

Ramabaja: Nëse mbahen zgjedhjet, LVV dhe PDK rriten, LDK do të ndëshkohet më së shumti

Ramabaja: Nëse mbahen zgjedhjet, LVV dhe PDK rriten, LDK do të ndëshkohet më së shumti

Analisti politik Sadri Ramabaja ka parashikuar ndryshime të dukshme në skenën politike të Kosovës në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) pritet të rriten me nga katër deputetë secila, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të pësojë rënie me dy deputetë.

Në një prononcim për emisionin “Debat Plus”, Ramabaja tha se këto zhvillime do të ndikojnë në krijimin e dy blloqeve politike në Kosovë, ku PDK-ja dhe LDK-ja mund të rreshtohen si bllok i djathtë dhe i qendrës, ndërsa LVV-ja do të vazhdojë të mbetet forca kryesore politike në vend.


“Dhe kështu mendoj se do të shkojnë drejt krijimit të dy blloqeve politike. PDK dhe LDK mund të mos pajtohen fillimisht, por do të jenë pjesë e deklaruar si e djathtë e qendrës. Pas këtyre zgjedhjeve, LDK-ja do të ketë një farë çelësi për krijimin e domosdoshëm të koalicioneve, sepse edhe mund të mos i duhet fare LVV-së. Gjykoj se LVV-ja do të rritet për katër deputetë, PDK gjithashtu për katër, ndërsa LDK-ja do të bie për dy deputetë”, deklaroi Ramabaja.

Ai gjithashtu parashikoi se AAK-ja dhe Nisma Socialdemokrate rrezikojnë të mos e kalojnë pragun zgjedhor, duke i cilësuar si partitë që mund të marrin “ndëshkimin më të madh” nga elektorati.

“Ndëshkimin më të madh natyrisht do ta marrin AAK-ja dhe Nisma që nuk e kalojnë pragun. Ndërsa sa i përket LDK-së, ajo do të ndëshkohet më së shumti ndoshta, për shkak se një pjesë e madhe e votuesve të saj kanë dëshiruar që ajo të jetë në koalicion qeverisës me VV-në”, theksoi ai.