LAJMI I FUNDIT:

Rama: Do të dyfishojmë numrin e objekteve të banimit në Prishtinë, që do të furnizohen me ngrohje qendrore

Rama: Do të dyfishojmë numrin e objekteve të banimit në Prishtinë, që do të furnizohen me ngrohje qendrore

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama gjatë intervistës në “Përballje” në Telegrafi, me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu ka folur për planin, projektet dhe synimet që ai ka nëse zgjidhet kryetar i Prishtinës në garën e balotazhit, e cilat do të mbahet më 14 nëntor.

Rama në këtë intervistë ka folur për zgjerimin e sistemit të ngrohjes qendrore në lagje të tjera të Prishtinës.


“Kemi parë se shumë lagje në pamundësi për t’u kyçur në ngrohje përdorin burime tjera të ngrohjes. Disa familje në gjendje më të rëndë ekonomike përdorin qymyrin madje si mjet për ngrohje i cili shkakton ndotjen e ajrit. Kjo nuk duhet të vazhdojë”, tha Rama në “Përballje”, përcjell Telegrafi.

Rama më tej ka premtuar se do të dyfishohet numri i objekteve banesore që do të kenë shërbime nga Termokos me ngrohje qendrore.

“Ne do të shtrijmë Termokosin edhe në lagje tjera. Kapaciteti aktual prej 140 kilovat mund të rritet në 280 kilovat. Për momentin mund të furnizojmë me ngrohje 64 mijë shtëpi/banesa. Kjo do të dyfishohet dhe ne do të merremi me këtë proces. Fondet janë dhënë nga shteti gjerman për të shpërndarë ngrohjen qendrore”.

Kandidati i LDK-së për Prishtinën thotë se do të shikohen mundësitë se si të bëhet shtrirja e ngrohjes në të gjitha zonat urbane të Prishtinës pasi sipas tij kjo ka shumë efekte pozitive për jetën e qytetarëve.

“Ngrohja qendrore shton sigurinë të qytetarët dhe njëkohësisht ndalon ndotjen e qytetit. Ngrohja do të jetë një investim strategjik që do të bëhet”, deklaroi tutje Rama./Telegrafi/