Rama reagon pas alokimit të mjeteve: Drejtoria e Financave po punon me intensitet që të kryej pagesat

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka filluar alokimi i pjesshëm i mjeteve financiare prej 25 milionë eurove nga bartja e vitit 2024, të cilat Ministria e Financave po i transferon drejt Komunës së Kryeqytetit.
Në një reagim publik, Rama e cilësoi këtë zhvillim si lajm të rëndësishëm për qytetarët dhe punëtorët. “Lajm i mirë për qytetarët dhe punëtorët e kryeqytetit! Më në fund ka filluar alokimi i pjesshëm i mjeteve financiare prej 25 milion euro nga bartja e vitit 2024 nga Ministria e Financave drejt Kryeqytetit”, deklaroi ai.
Rama bëri të ditur se Drejtoria e Financave po punon me intensitet të shtuar.
“Drejtoria e Financave e Kryeqytetit do të vazhdojë punën sot, jashtë orarit të rregullt të punës, me qëllim të procesimit sa më të shpejtë të pagesave”, tha Rama.
Ai shtoi se pagesat do të vazhdojnë sipas dinamikës së transferimit të mjeteve nga ministria.
“Në përputhje me dinamikën e alokimit të mjeteve nga Ministria, ne si komunë do të vazhdojmë me procesimin e pagesave në mënyrë të vazhdueshme dhe të rregullt”, u shpreh kryetari.
Rama theksoi se pret që shpejt të përfundojë alokimi i të gjithë shumës prej 25 milionë eurosh.
Në fund, ai shprehu mirënjohje për qytetarët dhe punëtorët e kryeqytetit.
“Falënderojmë qytetarët dhe punëtorët për mirëkuptimin, durimin dhe bashkëpunimin!”. /Telegrafi/

















































