Rama për mediat turke: Nëse Kosova preket, edhe Shqipëria preket
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë një interviste dhënë për Turkiye Today ka folur për çështje të ndryshme nga miqësia me Turqinë e deri te tensionet në Ballkan.
Duke iu referuar tensioneve rajonale, Rama riafirmoi mbështetjen e fortë të Shqipërisë për Kosovën dhe tha se pavarësia e saj nuk mund të kthehet mbrapsht.
“Kosova është e pavarur, është republikë. Ky proces është i pakthyeshëm”, tha ai, transmeton Telegrafi.
Rama paralajmëroi gjithashtu se çdo kërcënim ekzistencial ndaj Kosovës do të ndikonte drejtpërdrejt në Shqipëri.
“Nëse Kosova preket, Shqipëria preket. Nëse Kosova është nën një kërcënim ekzistencial, Shqipëria është nën një kërcënim ekzistencial”, vuri në dukje Rama.
Megjithatë, duke iu referuar dialogut të bllokuar të lehtësuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit, Rama pranoi se perspektiva e tij nga Tirana ndryshon natyrshëm nga ajo e kryeministrit Albin Kurti dhe udhëheqjes në Prishtinë.
“Unë jam në Tiranë, jo në Prishtinë. Kam qenë dëshmitar i luftës së përgjakshme që shkatërroi ish-Jugosllavinë dhe që solli në Kosovë tërbimin e makinës nacionalsocialiste të vdekjes dhe shkatërrimit”, shtoi kryeministri shqiptar.
"Kujtimet e atij momenti, plagët dhe makthet janë ende shumë të pranishme atje dhe jo aq të pranishme këtu. Ky është ndryshimi që gjithmonë duhet ta marr në konsideratë kur i shoh gjërat ndryshe nga këtu", shtoi Rama. /Telegrafi/


























