Rama ndalon hedhjen e mbeturinave inerte dhe ndërtimore në kryeqytet, tregon lokacionin zyrtar për deponim

Kryetari i Përparim Rama ka rikujtuar qytetarët dhe bizneset se hedhja e mbeturinave ndërtimore dhe vëllimore në hapësirat e Kryeqytetit është e ndaluar, duke bërë thirrje për respektim të rregullave dhe shfrytëzim të lokacioneve të përcaktuara për deponim.
“Hedhja e mbeturinave ndërtimore dhe vëllimore në Kryeqytet është e ndaluar”, ka theksuar Rama.
Sipas tij, Komuna ka vënë në dispozicion një lokacion zyrtar për deponimin e mbeturinave inerte dhe atyre vëllimore, si mobilje dhe inventar shtëpiak, i cili ndodhet në rrugën Qëndresa në Prishtinë.
Ai ka sqaruar se për dërgimin e këtyre mbeturinave në këtë pikë, qytetarët duhet të kontraktojnë ndërmarrjet publike përkatëse.
“Qytetarët duhet të kontraktojnë ndërmarrjen publike KRM ‘Pastrimi’ ose ndërmarrjen ‘Gjelbër’”, ka bërë të ditur Rama.
Po ashtu, i pari i Kryeqytetit ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për raportimin e rasteve kur hidhen mbeturina në vende të palejuara.
“Nëse shihni qytetarë ose biznese që hedhin materiale ndërtimore, sanitari, mobilje, goma, xhama apo çfarëdo mbeturinash të natyrës vëllimore dhe ndërtimore në Kryeqytet, ju lutemi ta lajmëroni Policinë ose Inspekcionin e Komunës”, ka apeluar ai. /Telegrafi/




















































