Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, pas kallëzimit penal që komuna ka dorëzuar kundër tij për mosalokim të fondeve.

Në një postim në Facebook, Rama ka deklaruar se pret që Murati t’u përgjigjet institucioneve të drejtësisë me më shumë përgjegjësi sesa – siç tha ai – “kryetari i partisë së tij, i cili prej një viti nuk iu është përgjigjur thirrjeve zyrtare të Prokurorisë”.


“Hekuran Murati, shihemi në Prokurori!
Sinqerisht shpresoj që përgjigja jote ndaj institucioneve të drejtësisë të jetë më e përgjegjshme sesa ajo e kryetarit tënd të partisë, që ka një vit që nuk i përgjigjen thirrjeve zyrtare të prokurorisë! Kjo e tregon mjaft mirë se si e trajtoni ju shtetin dhe qytetarët!”, ka shkruar Rama.

Ai theksoi se mosalokimi i fondeve po rrezikon pagat dhe shërbimet për qytetarët e Prishtinës:
“Punëtorët dhe qytetarët e Kryeqytetit nuk duhet të mbesin pa paga e pa shërbime, vetëm sepse ju keni zgjedhur t’i përdorni për të shantazhuar opozitën.”

Ky reagim vjen pas hapjes së procedurave penale nga Komuna e Prishtinës, e cila e akuzon ministrin Murati për bllokim të fondeve të dedikuara për kryeqytetin. Murati ende nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare lidhur me këto akuza.