Rakitic kritikon Realin: Largimi i Modric ka qenë gabim i madh

Ish-lojtari i kombëtares kroate Ivan Rakitic, i cili aktualisht punon në departamentin sportiv të Hajduk Split, ishte i ftuar në emisionin radiofonik spanjoll El Programa de Ortega.
Në një intervistë me prezantuesin Vicente Ortega, ai foli për disa tema aktuale të futbollit, duke përfshirë largimin e Luka Modric nga futbolli spanjoll dhe periudhën e tij te Barcelona.
Rakitic ndau mesfushën për shumë vite me Modric në kombëtaren kroate dhe edhe sot vazhdon ta admirojë karrierën dhe cilësitë e tij. Aktualisht, Modric është pjesë e Milanit.
“Ai është ndryshe nga shumë të tjerë. Nuk është rastësi, sepse kujdeset shumë për veten dhe përgatitet në mënyrë të jashtëzakonshme. Në fund, ata që punojnë shumë e meritojnë suksesin”, tha Rakitic.

Sipas tij, Modric po e shijon ende futbollin dhe vazhdon të jetë një shembull për lojtarët e tjerë.
“Ai është i lumtur, i kënaqur dhe po e shijon futbollin, dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Shpresojmë që ta shijojë sa më gjatë të jetë e mundur. Largimi i tij ishte një gabim i madh jo vetëm për Real Madrid, por për të gjithë futbollin spanjoll, sepse mendoj se duhej të kishin këmbëngulur shumë më tepër që ai të qëndronte”, u shpreh kroati.
Rakitic shtoi gjithashtu se përvoja e Modric dëshmon se mosha nuk është gjithmonë një faktor vendimtar në futboll.
“Duke parë situatën në Madrid, mendoj se trajneri do të ishte i lumtur ta kishte ende në ekip. Më vjen keq sepse shpesh shikojmë vetëm moshën e lojtarëve, ndërsa Luka tregon se futbolli nuk njeh moshë”, përfundoi Rakitic. /Telegrafi/






















































