LAJMI I FUNDIT:

Rafuna: Qeveria e Kosovës nuk mbështeti sektorin privat gjatë 2022-së, investimet publike shënuan rënie

Rafuna: Qeveria e Kosovës nuk mbështeti sektorin privat gjatë 2022-së, investimet publike shënuan rënie

Shqetësuese për Odën Ekonomike të Kosovës mbetet numri i madh i të rinjve që po e braktisin vendin dhe mungesa e fuqisë punëtore për bizneset.

Përveç kësaj, drejtues të kësaj ode vlerësojnë se sektori privat në vitin që po lëmë pas u sfidua me ngecjen e realizimit të investimeve kapitale nga qeveria.

Kryetari i OEK, Lulëzim Rafuna ka kritikuar ekzekutivin e vendit se vetëm sektori privat nuk mori mbështetje nga Pako për Përballje me Inflacionin. Teksa thotë se mbështetje morën gati të gjitha kategoritë e shoqërisë në vend, por jo edhe punëtorët e sektorit privat.

Ndonëse, Rafuna shpreson se viti 2023, do të jetë një vit më i mirë se sa ky vit që po lëmë pas për bizneset dhe ekonominë e saj.

Ai ka thënë se nuk është vetëm çështja e pagave të ulëta, e cila po ndikon në ikjen e të rinjve nga vendi.

Përkundër që Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk ka dal ende me raport për numrin e qytetarëve që kanë lëshuar vendin gjatë vitit 2022, Rafuna thotë se numri është tejet i lartë dhe përmendi se arsye e migrimit janë mungesa e sigurisë në shëndetësi dhe arsimi joadekuat, krahas kërkesave të tregut të punës. Gjatë vitit 2021, numri i qytetarëve që patën braktisur vendin, ka qenë rreth 43 mijë.

“Ikja e të rinjve është shqetësuese për shkak të mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar të pakualifikuar. Ka punëtorë të kualifikuar dhe të pakualifikuar që po ikin prej vendit tonë për një jetë më të mirë. Sfida tjetër është se, edhe pse po importohet fuqia punëtore, prej Bangladeshit, Nepalit dhe vendeve të tjera, nuk e kanë për qëllim që ata punëtorë me qëndruar në Kosovë. Ata dëshirojnë ta shfrytëzojnë Kosovën vetëm për transit, dhe kjo për kompanitë paraqet probleme. Për këtë institucionet e vendit duhet të bëjnë më shumë, duke hartuar strategjinë se si ta ndalin lëvizjen e të rinjve për të migruar. Nuk është vetëm çështja e pagës, e cila ndikon në ikjen e të rinjve. Të gjitha analizat tregojnë që nuk është elementi i vetëm paga që po largohen të rinjtë. Ikja e të rinjve më shumë ndërlidhet me shkollimin, pasi që arsimin nuk e kemi në koherencë me kërkesat e tregut. Po ashtu, si faktor tjetër është edhe shëndetësia, nuk ka siguri dhe besueshmëri në shëndetësi. Është një brengë e madhe e kompanive, çdo ditë ankohen se nuk kanë mundësi me gjetur fuqi punëtore”, thekson Rafuna.

Ai ka theksuar po ashtu se investimet e publike në vend shënuan rënie gjatë vitit 2022 dhe Qeveria nuk mbështeti sektorin privat kur inflacioni arriti normën dy shifrore.

“Ky vit në kuptim të konsumit, ka pasur një rënie të investimeve kapitale nga ana e parasë publike. Shuma e këtyre investimeve ka qenë shumë e vogël, nuk është dashur me ndodhur që me pasur kaq pak shpenzime kapitale. Ishte dashur që të gjitha ato projekte kapitale të implementohen. Pako ka pasur për qytetarë, për pensionistë, për studentë, po ashtu edhe për zyrtarët publikë, mirëpo nuk ka pasur pako stimuluese ose subvencionime për bizneset, kështu që shpresojmë që vitit 2023, të jetë një vit më i mirë, më i mbarë. Jam i lumtur që indikacionet e para japin shpresë që do të jetë një vit më i mirë se 2022. Presim të ketë ulje të çmimeve të derivateve të naftës, për arsye se nafta është e ndërlidhur me procesin e prodhimit dhe të tjera”, thotë ai.

Rafuna ka thënë se rritja ekonomike për vitin 2023, nuk do të jetë më e lartë se 4 për qind.

“Ende jemi në pritje të shifrave zyrtare, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, nuk japin një shifër më shumë se 3 deri 3.1 për qind për 2022. Ndërsa për vitin 2023, nëse shkon ashtu siç ne e shohim sot gjendjen, pritjet janë që rritja ekonomike të jetë 3 ose maksimumi 4 për qind”, thotë ai.

Ai duke mos mbështetur iniciativat qytetare dhe të disa deputetëve për tërheqjen e një pjese të mjeteve të Trustit, ka kërkuar nga Qeveria rritjen e pagave, krahas rritjes së inflacionit.

“E mira kishte me qenë që Qeveria e Kosovës t’i ngritë pagat me urgjencë, minimum në normën e inflacionit. Parat e Trustit, duhet ta kuptojmë janë para private, nuk janë para publike. Por në mungesë të rritjes së pagave dhe në mungesës të subvencioneve nga ana e qeverisë për t’i ndihmuar qytetarët po vjen kjo kërkesë. Mjafton të shihen veprimet e qeverisë së Gjermanisë, nga 300 euro çdo qytetari po ia alokon në konto për energji elektrike. Kështu ishte dashur me ndodhur edhe te ne. I kuptoj qytetarët që po e kërkojnë një përqindje të caktuar nga Trusti, për arsye se nuk po kanë rrugë tjetër. Kështu që në mungesë të tyre ata e kanë parë si zgjidhje me i kërkuar mjetet e Trustit. Megjithatë, nuk është ideale dhe nuk është mënyra më e mirë e mundshme, pasi që ato mjete janë të nevojshme për individët që dalin në pension. Kështu që ideale kishte me qenë që qeveria me i rritë pagat me urgjencë, e mos me prek Trustin. Megjithatë, duhet të bëhet një zgjidhje, sepse qytetarët janë në krizë, kështu që në sektorin privat ka pasur ngritje të pagave diku më pak e diku më shumë, mirëpo ky sektor ka pasur lëvizje, por jo edhe sektori publik”, thotë ai.

Kujtojmë se sipas raportit të Bankës Botërore, inflacioni në Kosovë në vitin 2022, arriti në normën më të lartë ndonjëherë, 19.2 për qind. /KP/