LAJMI I FUNDIT:

Radoiçiqi, çekani patriotik!

Radoiçiqi, çekani patriotik!
Ljubodrag Stojadinović

Burimi: N1
Përkthimi: Telegrafi.com

Diku këtu afër është miku më i mirë i dahisë, dora e gjatë dhe e besueshme, burimi i ankthit dhe frikës. Ai punon mbi tokë dhe gërmon poshtë saj. “Bën punën” dhe merret me atë që di të bëjë më mirë, por rrallëherë shfaqet. Kur kthehet nga ilegalja, apo kur arrin diku vetë ose e dërgojnë – ai këtë e shpall: jam kthyer, dhe ju e dini çfarë do të thotë kjo.

Çfarë është ajo që Milan Radoiçiqi, roja i serbëve në Kosovë, di të bëjë më së miri? Kjo përgjigje mund të vonohet dhe mund të vijë vetëm kur vjetrohet. Edhe pse zanatet e tij janë bërë burim i një tmerri të heshtur – në renditjen e krijuesve të kësaj Serbie – Milani është kalorës dhe manekin, luftëtar dhe shembull atdhetarie. Një pronar jashtëzakonisht i pasur dhe ndërtimtar. Ai zë një vend të lartë të merituar mes fisnikërisë së re dhe të egër. Një shërbëtor elitar dhe çekan i padronit. Gjendet pranë gjunjëve të zotërisë së të gjitha krimeve, një zbatues i paarritshëm i vullnetit të tij, i mbrojtur nga mëshira supreme dhe i vajosur me bekim të fisëm.


Rruga e zhvillimit e M. Radoiçiqit ende nuk ka përfunduar, mundësitë e tij nuk hetohen. Sado që të gërmohet në gjenealogjinë e tij, rrallë gjenden gjëra të mira. Ato, nëse kanë ekzistuar ndonjëherë, janë zhytur thellë nën baltën ku është ngulitur e tëra jeta e tij. Ai është rrethuar nga një mimikri e një lufte të simuluar për serbët dhe për Serbinë, dhe madje edhe sundimtari i këtushëm, në një nga shpërthimet e ekzaltimit, tha se Radoiçiqi është “Serbia në Kosovë.” Si u bë kjo dhe nga çfarë mendjeje buron ky barazim, kjo nuk dihet plotësisht, megjithëse devijimet mendore që vijnë prej aty janë bërë një argëtim i përditshëm popullor në Serbi dhe rreth saj. Mbreti i punëve të veçanta bizare nuk lodhet kurrë.

Biografia e MR-së është një novelë mbi dhunën kriminale brutale të realizuar nën idenë e një atdhetarie të rreme, e pakëndshme edhe për një përmbledhje të sipërfaqshme. Dahiu e ruan gaulajterin e tij kosovar si një pasuri personale.

Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli Milan Radoiçiqin përgjegjës për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, dhe katër të akuzuarit e tjerë u dënuan me gjithsej 22 vjet burg. Gjykata thekson se MR-ja udhëhoqi një grup kriminal që organizoi vrasjen më 16 janar 2018, në Mitrovicën e Veriut, dhe ndërmori veprime për të zhdukur provat për të penguar hetimin. Grupi kishte një strukturë të qartë, ndikim kriminal dhe politik, dhe vepronte me mbështetjen e shtetit serb. Kryente shantazhe ndaj kundërshtarëve politikë, përfshirë edhe Ivanoviqin i cili refuzoi të nënshtrohej ndaj kërkesave të tyre.

Në këtë grup, Radoiçiqi është figura qendrore, por nuk u shpall fajtor, vetëm përgjegjës. Kështu, falë institucionit të paprekshmërisë dhe mbrojtjes së lartë, mbeti i lirë, meqë vendimi në mungesë në Prishtinë e përjashton mundësinë e shqetësimit për një gjykim të ri në Serbi. Nuk besohet se ka ndonjë prokuror apo gjyqtar nën kontrollin e horrit që do të gjykonte të përkëdhelurin e tij.

Radoiçiqi, si një harambash i autorizuar, udhëhoqi një grup terrorist në Banjskë, dhe pas kryengritjes së dështuar dhe viktimave nga të dyja palët, shpëtoi me arratisje. U shpall në kërkim, por në Serbi është i paprekur. Tabloidët e pushtetit e paraqitën si një Obiliq. Në hijen që e mbron, ai ende vepron dhe pasurohet, dhe askush nuk merret më me logjikën e krimit dhe burimin e lirisë së tij ilegale.

Gjykata në Prishtinë shpalli një vendim të shkallës së parë dhe iu afrua foleve të grerëzave, por nuk pati forcë ta shkatërronte atë fole. Të themi të drejtën, edhe horri edhe Radoiçiqi e dinë se kush e vrau Oliver Ivanoviqin – dhe e dinë që ne të gjithë e dimë. Ndoshta e di edhe ai që duartroket, ekselenca dhe ministri Marko Gjuriq, i cili shkroi një fjalë urrejtjeje për Oliverin para vdekjes së tij. Më pas shkroi edhe një ode dashurie pas vdekjes. Në aktgjykim thuhet se kriminelët dhe vrasësit vepruan me mbështetjen e shtetit të Serbisë dhe ushtruan presion, me çdo mjet, mbi Ivanoviqin i cili nuk donte të nënshtrohej ndaj kërkesave të kriminelëve për t’iu bashkuar filialit të tyre – Listës Serbe.

Kush ishte shteti i Serbisë më 16 janar 2018? I njëjti që është edhe sot – një despot i çoroditur në ballafaqimin përfundimtar me njerëzit dhe me veten.

Në ditën e varrimit të Oliver Ivanoviqit, ai nuk ishte në ceremoni, por në vendin ku ndodhi vrasja. Ra shi dhe ai qëndroi atje i lagur si një dodollé, duke dashur t’u tregonte të gjithëve martirizimin e tij të rremë dhe patetik.

Menjëherë pas kësaj, e shpalli veten mik të Oliver Ivanoviqit, ia caktoi një vend në Alenë e të Merituarve dhe e solli të venë e tij të hareshme në qeveri.

Të gjithë ata që e përndoqën Oliverin deri në vdekje, u bënë pas vdekjes së tij miqtë e tij më të ngushtë.

Ata që e vranë, ende besojnë se kurrë nuk do të zbulohen.

Horri vazhdon të kujdeset për Radoiçiqin, i bindur se kështu ruan një të fshehtë të tmerrshme që e ngufat dhe e shndërron në një përbindësh. Dhe, ju e dini çfarë do të thotë kjo. /Telegrafi/