LAJMI I FUNDIT:

Qytetarët do të duhet të paguajnë nga 250 denarë për rinovim të kartelave elektronike shëndetësore

Qytetarët do të duhet të paguajnë nga 250 denarë për rinovim të kartelave elektronike shëndetësore

Projekti për digjitalizimin e shërbimeve shëndetësore që filloi me realizim që nga viti 2011, ende nuk është finalizuar në tërësi, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Ai tashmë një kohë të gjatë po zbatohet me probleme, pasi që një pjesë e kartelave elektronike të lëshuara nga Fondi për sigurim shëndetësor nuk janë në funksion të plotë. Mbi 43 mijë kartelave shëndetësore në fund të këtij viti u skadon afati, pasi që ato janë të afatizuar me afat pesëvjeçar.


Drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Orhan Ramadani thotë se është i njohur me këtë problematikë dhe se për të është prononcuar më tepër herë, por sipas tij, ky projekt do të realizohet plotësisht, pasi në kartelat shëndetësore digjitale të evidentohen të gjitha historitë e të dhënave për gjendjen shëndetësore të pacientëve.

“Do të thotë se kartela elektronike nuk është vetëm kartelë e thjeshtë. Në të ardhmen në to do të ketë të dhëna shumë të rëndësishme për pacientët. Edhe tani kartela e mençur i posedon të gjitha elementet e nevojshme, por ende nuk është në nivelin e duhur të përdorimit të tyre.”, është shprehur për mediat Orhan Ramadani, Drejtori i fondit për shëndetësi.

Nga Ministria për shëndetësi theksojnë se nga fillimi i këtij projekti, prej 110 mijë kartelave të dërguara në njësitë rajonale anembanë vendit, vetëm 53 mijë kartela elektronike janë tërhequr nga qytetarët. Megjithëse pacientët ankohen se në të shumtën e rasteve kartelat elektronike nuk përdoren, duke filluar nga mjekët amë e deri tek klinikat e specializuara. Me skadimin e afatit qytetarët do të detyrohen që sërish të paguajnë nga 250 denarë për rinovimin e këtyre kartelave./Telegrafi/