LAJMI I FUNDIT:

Qytetarët flasin për grevën e SBASHK-ut

Qytetarët flasin për grevën e SBASHK-ut

Greva që ka filluar tash e gjashtë ditë në institucionet arsimore dhe mbi 3 jave te ato shëndetësore, po komentohet në mënyra të ndryshme nga qytetarët. Disa thonë se meritojnë ngritje të pagave, ndërsa, ka edhe që thonë se kanë bllokuar funksionimin normal të shtetit.

Për Naim Krasniqin, që bashkëshorten e ka të shtrirë në QKUK, fajtori kryesor për gjithë këto greva është kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.

Krejt kjo, pasi siç thotë ai, i pari i ekzekutivit e ka rritur pagën vetit dhe tash të gjithë  kanë të drejt të kërkojnë pagë më të lartë.

“Kryeministri është fajtor për të gjitha, pasi e rriti rrogën e vet krejt po lypin me e rritë. Me pas qenë ky njeri qysh duhet për popull, kishte mundur të thotë sa e keni ju rrogën që s’keni ardhur në vend të punës, e kem kaq. Na kemi me zbrit pak se popullin e kemi në krizë”, tha ai.

Ndërsa, për qytetaren tjetër, Myrvete Maroshi shërbime në repartin e Neurokirugjisë përkundër grevës janë shumë të mira.

Ajo theksoi se mjekët e meritojnë ngritjen e pagës, po ka dhe disa prej tyre që nuk duhet t’iu rritet paga.

“Diku e meritojnë, diku dhe jo… po për momentin në repartin e neurokirurgjisë që gjendet baba jem është shumë mirë, në rregull përcjellja shumë e mirë”, u shpreh ajo.

Sa i për ketë grevës së mësimdhënësve, qytetarët shprehen në përkrahje të tyre. Për Amir Gashin, këta të parët kanë të drejtë, pasi arsimi ka vlerën e vet.

Përkundër kësaj, ai thotë se ndoshta disa nga kërkesat e tyre janë të larta, duke marrë parasysh që rrogat e mësimdhënësve janë më të lartat në rajon.

“Po në këtë rast dhe nxënësit humbin, por ndoshta dhe profesorët kanë të drejtë. Pasi arsimi ka vlerën e vet…kërkesat ndoshta janë të arsyeshme, por unë mendoj që tridhjetë përqind është shumë e lartë. Duke marrë parasysh që rrogat në shkollat fillore dhe të mesme janë më të larta në rajon”, shtoi ai.

Njëjtë në mendime shprehet dhe Shkenda Bytyqi. Ajo thotë se secila punë duhet të vlerësohet drejt.

Bytyqi ndër të tjera kishte dhe një kërkesë për gjitha institucionet që këto profesione të vlerësohen më shumë.

“Besoj që kanë të drejt, secila punë duhet të vlerësohet drejt dhe institucionet duhet me bërë më shumë për mësimdhënësit për doktorët dhe gjithë të tjerët”, përfundoi qytetarja Bytyqi.

Ndryshe nga këta qytetarë, më kritike ndaj këtyre grevave shprehet Nazmie Bajrami.    Sipas saj, grevat nuk janë të mira, pasi këtu është bllokuar dhe po humb  i gjithë shteti.

“Grevat nuk janë të mira, ne me pas thesin e Amerikës nuk e qetë, çka po lypin këtu. S’janë bash të drejta duhet me punu ma tepër ata… këtu po humbë më shumë krejt shteti, e kanë bllokuar krejt shtetin, nuk punojnë as kopshte, as shkolla ” u shpreh ajo.

E përbashkëta e dy institucioneve që janë në grevë është se kërkojnë ngritje të koeficientit të pagës së tyre.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri iu ka     kërkuar gjithë mësimdhënësve që nga dita e hënë të dalin në punë.

Në të kundërtën, Bahtiri ka paralajmëruar se do të kërkojë staf vullnetar që të mbajnë  mësim në shkolla.

“Nëse greva nuk ndërprehet dhe nxënësit vazhdojnë të humbasin orët mësimore, Komuna e Mitrovicës do të kërkoj staf mësimor vullnetar për ta mbajtur mësimin në shkolla”, tha ai.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i SBASHK-ut, ku i drejtohet Bahtirit se për tendencën që të bën presion në grevistët do të përballet me gjykatën, por gjithashtu i ka rekomanduar që të ketë kujdes se mund të përballet edhe me mllefin e grevistëve.

Kundër grevës në arsim është deklaruar dhe deputeti që vije nga radhët e AAK-së, Muharrem Nitaj.

Ai u shpreh se dyshon që  këta sindikalistët e përfaqësojnë një mend arsimin. Sipas tij, arsimi as që ka sindikatë, mirëpo janë disa njerëz që flasin në emër të  arsimit.