ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Deputetët e VLEN-it sot në konferencë për shtyp theksuan se ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë një nga proceset më të rëndësishme në kuadër të Agjendës reformuese dhe afrimit të vendit me standardet evropiane.

Deputeti Bekim Qoku tha se që në takimin e liderëve, VLEN ka kërkuar që ky proces të mos kufizohet vetëm në çështje teknike, por të trajtojë edhe tema që e zgjerojnë pjesëmarrjen demokratike.


"Një prej tyre është krijimi i mundësive që qytetarët tanë në diasporë ta ushtrojnë më lehtë të drejtën e votës. Për ne, është me rëndësi që diaspora të ketë mundësi të votojë, qoftë përmes votimit elektronik, qoftë përmes formave të tjera të sigurta, transparente dhe të besueshme, në përputhje me standardet ndërkombëtare".

"Nuk besojmë se bllokadat me mijëra amendamente i shërbejnë këtij procesi. Qytetarët presin zgjidhje, jo pengesa. Presin dialog dhe reforma që e përmirësojnë sistemin, e jo taktika që e mbajnë atë peng. Ndryshimet në Kodin zgjedhor duhet të ndërtohen mbi rekomandimet e ODIHR-it të OSBE-së dhe mbi obligimet që burojnë nga Agjenda reformuese".

"Ne mbështesim çdo zgjidhje që e bën procesin zgjedhor të hapur dhe inkluziv. Reformat nuk bëhen për interesat e partive politike, por për qytetarët dhe për të ardhmen evropiane të vendit. Andaj, mesazhi ynë tani e gjithmonë është i njëjtë. Diaspora nuk është vetëm për remitenca, por duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes. Këtë e kemi kërkuar që në takimin e liderëve dhe këtë do ta mbrojmë gjatë gjithë procesit për ndryshimet në Kodin zgjedhor", tha Qoku.