ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur të martën mbrëma një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar disa vendime, përfshirë emërimin e drejtorit të ri të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI).

Sipas njoftimit, Qeveria ka emëruar Ragmi Dalipin në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të ASHI-së.


Po ashtu, është miratuar vendimi përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore, të menaxhuara dhe administruara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), të cilat do të shfrytëzohen për realizimin e dy projekteve në Komunën e Gjakovës.

Projektet përfshijnë administrimin e objektit të ish-"Bankos"-it për nevojat e administratës komunale në Gjakovë, si dhe ndërtimin e një fushe futbolli dhe hapësirave rekreative në fshatin Trakaniq dhe zonën përreth.

Në mbledhjen elektronike është miratuar edhe ndryshimi dhe plotësimi i vendimit për emërimin e Komisionit për shqyrtimin dhe vendosjen e zyrtarizimit të gjendjes faktike dhe mospërputhjeve me Regjistrin e të Drejtave të Pronës së Paluajtshme.

Me këtë vendim, Besnike Mehmeti nga Zyra e Kryeministrit është emëruar zëvendësuese e anëtarit të komisionit, duke zëvendësuar Ervina Gashin. /Telegrafi/