LAJMI I FUNDIT:

Qeveria shkarkon Sekretarin e Këshillit të Sigurisë, ekspertët thonë se nuk mjafton vetëm lëvizja prej pozitës në pozitë

Qeveria shkarkon Sekretarin e Këshillit të Sigurisë, ekspertët thonë se nuk mjafton vetëm lëvizja prej pozitës në pozitë

Shpend Tërdeva nga e marta më nuk është në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Sigurisë, pasi Qeveria e Kosovës e ka shkarkuar nga ky funksion.

Sipas kryeministrit Kurti, Tërdeva ishte emëruar në këtë pozitë në kundërshtim me ligjin.

“Rekrutimi i z. Tërdeva në këtë pozitë është bërë në shpërputhje me dispozitat ligjore në fuqi të përcaktuar në ligjin për zyrtarët publik është e domosdoshme që ky  vendim të shfuqizohet në bazë të ligjit për procedurën e përgjithshme administrative”, ka theksuar Kurti.

Tërdeva ishte emëruar sekretar në shtator të vitit 2020 dhe mandati i tij do të duhej të ishte 4-vjeçar.

Për këto shkarkime deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj thotë se duhet të bëhet kujdes.

“Jo vetëm për zotin Tërdeva por për çdo person tjetër që ka qenë pjesë e strukturave të sigurisë gjithmonë qeveria duhet të jetë shumë e kujdesshme pasi kemi të bëjmë me disa njerëz që kanë një bagazh profesional”, tha Qalaj në RTV Dukagjini.

Qalaj nuk është i kënaqur as me zëvendësimet në krye të Policisë së Kosovës që vet ai e udhëhoqi për disa vite.

Ekserti i sigurisë Bedri Elezi thotë se qeveria duhet të ndjekë edhe hapa tjerë pos shkarkimeve.

“Realisht ne po kemi vetëm zhvendosje. E marrin një drejtor prej regjionit të Ferizajt dhe e sjellin në një drejtori në Prishtinë, apo e kundërta. Nëse një person duhet të ndryshohet për shkak se ka keqpërdorë detyrë zyrtare nuk është e mjaftueshme vetëm lëvizja e tij nga një pozitë në një pozitë tjetër”.

Tërdeva është vetëm zyrtari i fundit në listën e zyrtarëve të lartë shtetërorë që janë shkarkuar nga Qeveria Kurti./Telegrafi/