Kreu i Lëvizjes Qytetare URA dhe zëvendëskryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se për qeverinë e pakicës janë ende në pritje të qëndrimit të Partisë Popullore Socialiste (SNP).

Siç njoftoi ai, URA do të respektojë qëndrimin e SNP-së, sido që të jetë ai për çështjen e qeverisë minoritare.


“Sa na përket neve, çdo gjë duhet bërë shumë më shpejt, më konkretisht dhe me efikasitet”, tha politikani shqiptar, raporton rtcg.

1620371822 Dritan Abazovic foto Goran Srdanov Nova rs 0080  1

I pyetur se kush do të formojë qeverinë e pakicës dhe nëse do të jetë SNP, Socialdemokratët dhe Partia Socialdemokrate, Abazoviq tha se janë ende në pritje të qëndrimit të SNP-së.

“Ata kanë organizimin dhe organet e tyre. Cilido qoftë pozicioni, ne do ta respektojmë atë. Unë do të doja që ata të ishin pjesë e qeverisë evropiane dhe pjesë e vagonit që duhet të çojë në pajtimin në Mal të Zi në planin afatgjatë", tha zëvendëskryeministri në detyrë i Malit të Zi.

Ndërkohë, deputetët e DPS-së, SDP-së dhe koalicionit shqiptar “Njëzëri”, Partia Boshnjake, SD dhe GP URA, 43 prej tyre, i kanë dorëzuar nënkryetarit të Kuvendit, Strahinja Bulajiq propozimin për mbajtjen e seancës parlamentare më 3 mars.

Kujtojmë se kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiq është shkarkuar javë më parë me votat e disa partive të pozitës dhe opozitës.

Ndryshe, disa parti të minoriteteve si dhe partitë shqiptare kanë pohuar se janë pro që drejtimin e qeverisë ta merr Abazoviqin, i cili ka thënë më parë se nuk do t'i ikte një përgjegjësie të tillë nëse i jepet prej Kuvendit të Malit të Zi. /Telegrafi/