LAJMI I FUNDIT:

Qeveria e konsideron humbje kohe të merret me demarkacionin (Video)

Qeveria e konsideron humbje kohe të merret me demarkacionin (Video)

Qeveria e Kosovës nuk e ka në plan të zmbrapset nga qëndrimet e prera që kanë se ndarja e vijës kufitare me Malin e Zi është në rregull.

Pavarësisht kërcënimeve të opozitës, paralajmëron se shpejtë demarkacioni do të jetë në Kuvend dhe kërkojnë që të votohet si i tillë.


Këshilltari i kryeministrit Faton Abdullahu ka thënë për KTV-në se nuk e kanë luksin të humbin shumë kohë kur dihet se tashmë ky është kusht i vënë nga BE-ja për liberalizim.

Ai ka thënë se ka keqinterpretime me sherr nga individë e parti politike.

Ndërkohë sa i përket propozimit të ish kryeparlamentarit Jakup Krasniqi që të formohet një komision i ri për të evituar gabimet e Komisionit Shtetëror për demarkacion, Abdullahu e quan të vlefshme idenë, por thotë se duhet të jenë legjitime.

Ndërkohë analisti politik Imer Mushkolaj mendon se duhet të ketë një komision të ri, por që ai të jetë parlamentar i themeluar nga vetë deputetët e republikës, por jo vetëm sa për sy e faqe, raporton KTV.

Ai tha se deputetët duhet të dalin përtej petkut politik, e të mos e lejojnë të kalojë si i tillë demarkacioni në Kuvend.

Ditë më parë ish kryeparlamentari Jakup Krasniqi doli me idenë për themelimin e një komisioni të ri për demarkacionin, dhe sipas tij vetëm kështu do të evitoheshin gabimet e Komisionit Shtetëror të përforcuara edhe nga komisioni ndërkombëtar.