LAJMI I FUNDIT:

Qeveria aprovon Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve për vitet 2021-2023

Qeveria aprovon Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve për vitet 2021-2023

Qeveria në detyrë e Kosovës në mbledhjen e 27-të ka shqyrtuar dhe aprovuar dokumentin e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve për vitet 2021-2023.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikatë për medie nga Zyra e Kryeministrit.


“Korniza Afatmesme e Shpenzimeve për vitet 2021-2023 ka qenë dokumenti i parë i cili është shqyrtuar dhe aprovuar në mbledhjen e sotme. Korniza Afatmesme e Shpenzimeve është dokumenti kryesor mbi bazën e të cilit do të hartohet Buxheti Vjetor për vitin 2021. Qëllimi kryesor është që të ofrojë një analizë, e cila reflekton mjedisin makroekonomik në vend, për të vendosur kështu bazën për planifikimet buxhetore për vitet që vijnë në përputhje me prioritetet strategjike të Qeverisë. Qeveria vazhdon të ketë si objektiv kryesor forcimin e mëtejshëm të pozitës së saj fiskale dhe menaxhimit të përgjegjshëm të financave publike”, thuhet në këtë komunikatë.

Ndërkaq, bëhet e ditur se kjo Kornizë është strukturuar në katër pjesë kryesore.

“KASH 2021-2023 është e strukturuar në katër pjesë kryesore. Pjesa e parë përmban “Deklaratën Afatmesme të Prioriteteve”, e cila ofron një përmbledhje të gjerë të prioriteteve të Qeverisë në përputhje me Programin Qeverisës, Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Programin e Reformave në Ekonomi. Në pjesën e dytë është korniza makro-fiskale bazuar në parametrat e përgjithshëm të zhvillimit ekonomik. Në pjesën e tretë dhe të katërt janë paraqitur parashikimet fiskale të cilat përcaktojnë kufijtë e përgjithshëm të shpenzimeve mbi bazën e të cilave përgatitet më vonë Buxheti Qendror dhe ai Komunal”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/