LAJMI I FUNDIT:

Qendra Edukuese, shans i dytë për të miturit që kanë problem me ligjin

Qendra Edukuese, shans i dytë për të miturit që kanë problem me ligjin

​Është inauguruar Qendra Edukuese-Korrektuese për të mitur në Lipjan, qendër kjo e cila po vlerësohet të jetë si një mundësi e dytë për të miturit që kanë problem me ligjin.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë se ndjehet i nderuar që puna e parë e tij si ministër është inagurimi i kësaj qendre.


“Jam jashtëzakonisht i nderuar se një prej aktiviteteve të mia të para si ministër i Drejtësisë është hapja e kësaj Qendre Korrektuese Edukative për të mitur, e cila është një investim nga taksapaguesit evropianë. Angazhimi im si ministër do të jete fuqizimi i rendit dhe ligjit në Kosovë. Fuqizimi i rendit dhe ligjit në Kosovë do të jetë pasaporta për t’u integruar në Bashkimin Evropian… Në një të ardhme shumë të afërt do ta rishikoj legjislacionin i cili ka të bëjë me pasuritë e paligjshme, pra atë që e presin qytetarët e Republikës edhe do të ndodhë. Ajo pasuri e kujdo qoftë që nuk është e justifikueshme dhe do t’i kthehet qytetarit dhe Kosovës”, është shprehur ai.

Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ka thënë se BE ka investuar 3 milionë euro për ndërtimin e Qendrës Korrektuese për të mitur, teksa ka ftuar Ministrinë e Drejtësisë ta kenë parasysh mirëqenien e fëmijëve.

“BE ka vendosur të investoj 3 milionë euro sepse besojmë se kjo është shumë e rëndësishme. Investimi në fëmijë dhe të ri, nënkupton investimin në të ardhmen e Kosovës. Dua të theksoj se progresi i arritur deri tani është rezultat i një angazhimi të madh të institucioneve të Kosovës. Besojmë se ky zotim në të ardhmen vetëm do të rritet. Kam kënaqësinë të shoh një qendër të tillë e cila do t’iu jap një shans të dytë fëmijëve…. Atyre gjithmonë duhet t’iu japet mbështetje”, është shprehur ajo.

Shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Brandao Co, ka vlerësuar se hapja e kësaj qendre shënon edhe mundësinë për të shënuar progresin e arritur deri më tani, si dhe partneritetin e UNICEF-it, BE’së dhe Kosovës.

“Qendra duhet të sigurojë risocializimin e të miturve në Kosovë në mënyrë që ata në periudha sa më të shkurtra të kthehen në familjet e tyre”, tha ai.

Ndryshe, janë 14 të mitur të cilët gjenden në Qendrën e shërbimit Korrektues të Kosovës.