LAJMI I FUNDIT:

PYETJET E NJË PUNËTORI ANALFABET

PYETJET E NJË PUNËTORI ANALFABET

Poezi nga: Bertolt Brecht
Përktheu: Ibrahim Kelmendi

Kush e ndërtoi Teben me shtatë porta?
Në libra janë vetëm emrat e mbretërve.
A i kanë bartur mbretërit gurët për mure?
Kush e ka ndërtuar Babiloninë disa herë të shkatërruar?
Në cilat shtëpi banonin ndërtuesit e Limas së artë?
Ku u zhdukën muratorët atë mbrëmje, kur u përfundua Muri i Madh i Kinës?
Roma e madhe është plot me harqe triumfale.
Kush i ndërtoi ato?


Ndaj kujt fituan Cezarët?
A kishte Bizanti, aq shumë i madhëruar, pallate për banorët e vet?
Edhe në Atlantikun legjendar, gjatë natës lemerisen padronët pijanecë, kur deti gllabëroi skllevërit e tyre.

Aleksandri i ri pushtoi Indinë.
Ai vetëm?
Cezari mundi galët.
A nuk kishte të paktën një kuzhinier me vete?

Filipi i Spanjës qau kur flota e tij u përmbyt. Askush tjetër nuk qau?
Frederiku i Dyti fitoi luftën shtatëvjeçare.
A fitoi dikush tjetër pos tij?

Kush gatuante në festa të fitores?
Çdo dhjetë vjet një njeri i madh?
Kush i ka paguar shpenzimet?
Sa shumë raporte. Po kaq shumë pyetje.