LAJMI I FUNDIT:

Pyetje Akademisë: Kush ju lexon në Perëndim?

Pyetje Akademisë: Kush ju lexon në Perëndim?

Projekti madhor i Akademisë së Shkencave për historinë, është pritur me kritika dhe debate. Një analizë për të vjen nga studiuesi shqiptar në Nju-Jork, Elidor Mëhilli. Ai dhe shumë të tjerë në katedrat perëndimore, janë lënë jashtë projektit.

Nga: Fatmira Nikolli


“Projekti për historinë është i nevojshëm, por ka tendencë për ta bërë histori zyrtare”, thotë ai.

Profesori shqiptar në Nju-Jork vëren se diaspora përdoret për çështje politika, por nuk është pjesë e projekteve as nuk i lejohet votimi.

“Kemi kompleks ndaj të huajve, ndërkohë që diaspora ka studiues të mirë që kanë çfarë të japin. Kritikat për projektin e Akademisë kanë nisur që me prezantimin e tij. Normalisht, kritika nis pasi del vepra, jo përpara – siç ka ndodhur këtu”, thotë ai ndërsa shton se mungon debati për Luftën e Dytë Botërore si dhe për tranzicionin ne vitet 1990.

“Ka shumë nostalgji për vitet 1990. Ka njerëz që dalin e rrëfejnë, ka memuare. Të gjithat janë gjëra që duhen ripërtypur, bashkë me rrëfimet e protagonistëve. Historia nuk ka vetëm heronj e antiheronj dhe vitet 1990 janë aspekt i rëndësishëm për të kuptuar shoqërinë”, thotë ai dhe shton se kjo është koha kur nisi vjedhja e shtetit, kur shteti u bë diçka për t’u ndarë e për t’u zaptuar.

“Ka polarizim partish e institucionesh dhe këtu është e vështirë t’u ikësh interesave. Në ShBA të gjithë respektojnë lirinë akademike”, shprehet Mëllihi dhe shtron disa pyetje për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë: “Kush ju lexon ne Perëndim? A keni standarde ndërkombëtare?” /BW/