LAJMI I FUNDIT:

Pushofsh në paqe Bekimi i mirë…

Pushofsh në paqe Bekimi i mirë…
Rikard Ljarja

Rikard Ljarja

Më qëlloi që në kaosin e parë mbarëkombëtar, pra menjëherë mbas ’91, të isha në Institutin e Larte të Arteve.


Jepja mësim, jepja regji.

U befasova kur pata kontaktin e parë me studentët. Afërsisht ishin nja nëntë. Ishin të moshave të ndryshme dhe seç kishin…

U prezantova dhe të njëjtën gjë kërkova edhe nga ata.

Tre prej tyre ishin nga Kosova, një ishte nga Tetova, po edhe ai me origjine nga Kosova.

Të tjerët ishin vendali: Donaldi, dy vajza, njëra Andeta, bija e një aktori që me shumë nuk vinte se vinte në mësim (unë i mbyllja të dy sytë si i “korruptuar” se kohët ishin të vështira dhe njerëzit kishin shumë halle), vajza tjetër, Katerina, e bija e një oficeri që për koincidence e takova mbrëmë mbas kaq kohësh… dhe ajo u befasua që e mbaja mend… jetonte në Pragë… dhe isha unë që i dhashë lajmin…

Pastaj ishte një djalë i gjatë shumë i sjellshëm, pak enigmatik që në atë kohë mbrohej me truproje (e çuditshme për një djalë të ri student), flitej nën zë se ishte nënkryetar i një sekti…

Ç’far s’po ndodhte në ato dit’ të rrëmujshme të ndërrimit, të përmbysjes!

Ishte edhe Kromidha dhe një student nga Kukësi.

Kaq mbaj mend mbasi kanë kaluar kaq vite.

Ditët e para këta katër, këta pra që kishin ardhur nga përtej kufirit, rrinin si të tulatur, të heshtur, të ndigjueshëm, të vëmendshëm, fjalëpakë…

Dhe unë me mendjen time thash do t’i mbaj afër sepse mu duken si “jetim”. Dhe ashtu bëra.

E parë e punës nuk isha më pedagogu po shoku dhe miku i tyre.

Mora vesh biografit: Esati, që ishte një djalë simpatik, i lakmuar nga vajzat, tepër i heshtur, mund të them më i heshturi atij kursi, kishte bërë ca vite burg në Jugosllavi, mbasi kishte dalë nga burgu kishte vazhduar universitetin për gjuhë letërsi.

Agimi, kishte mbaruar fakultetin e mjekësisë. Ishte i hajthem, fliste me zë të ulet dhe kërkonte të informohej sa më shumë për profesionin.

Bujari ishte i vetmi që vinte nga bankat e gjimnazit. Ishte lojcak, sigurisht nga mosha, po çuditërisht ishte ndoshta më i kënduari i ati kursi.

Bekimi.

Bekimi ishte figura më e çuditshme.

Kokë katrore, sy të gjelbër, të rrumbullakët, pak të dalë, në dhembet e parë kishte një stërdhëmb, trup ngjeshur dhe me një temperament impulsiv.

Ishte koha e pushtimit total të Kosovës.

Të katërve, gjatë orëve të mësimit, me shkas, pa shkas, u shkonte gjuha aty ku i dhimbëte dhembi. Harrohej mësimi dhe flitej veç për hallet e Kosovës. Për luftën që sapo kishte filluar.

Ai që e udhëhiqte dialogun gjithë nerv e patos ishte Bekimi.

Ndoshta monologun.

Sepse Bekimi kur fliste për Kosovë nuk linte njeri të ndërhynte. Nxehej, skuqej, sytë i dilnin ma përjashta dhe të krijonte përshtypjen e një të “sëmuri”, sa që ndonjëri edhe e ngacmonte… “Shko pra edhe ti e lufto”. Këtu Bekimi fyhej. Fyhej seriozisht. Duhej disa kohë deri sa ne të gjithë, të pestët (sepse unë tanimë isha bërë pjesë e tyre) të gjenim mundësin e ta qetësonim.

Në të tilla raste, pa fole, me një shikim, Esati vinte rregull.

Nuk e di se si i kishin rregulluar punët, po unë e ndjeja se Esati udhëhiqte. Të gjithë e respektonin.

Nejse.

Shkolla dikur mbaroj.

Të gjithë u shpërndamë.

Nuk është fare e çuditshme që me mua këta katër student, tani kolegë, nuk i shkëputen lidhjet asnjëherë.

Mbas ca kohësh mora vesh se Bekimi kishte shkuar në Gjermani, organizonte diasporën, dhe përpiqej të sensibilizonte opinionin publik gjerman… dhe me gjerë. E pash edhe në një kronike televizive në një manifestim në rrugë që udhëhiqte bashkëqytetaret me kitarë në dorë.

Me Esatin, Agimin, Bujarin vazhdoj të takohem, po edhe me Bekimin.

Kur u ndodha një herë në Prishtinë me ftoi për një premier. Shfaqja më bëri vërtetë përshtypje. Ishin dy aktor të rinj. Më kujtohet se njeri ishte tepër i shendosh, po kishte një energji të jashtëzakonshme gjatë gjithë shfaqjes. Ishte energjia e Bekimit e transmetuar në mënyrë të shkëlqyer.

Herën tjetër e takova në shkallët e teatrit të Prishtinës, mbasi u përshëndetem, unë bëra edhe një shaka: Ndore tande – i thashë, dhe ngrita duart nalt, u dorëzova, sepse më kishte çue fjalë se do të më “vriste” sepse kisha lexuar tekstin e një dokumentarit të Esatit(!)

Qeshëm, u përqafuam dhe pas pak më kërkoj të më bënte një intervistë për radion “Evropa e lirë”.

Hoqi çantën nga krahu, e hapi dhe po përpiqej të nxirrte një mikrofon. Iu ngatërruan duart neper ca tela që nuk po i nxirrte dot se çantën e kishte plot… dhe nxori nga çanta një libër të madh, të lidhur bukur e me kapak të trashë… Ishte Bibla.

Kur nxori Biblën, atëherë të gjithë telat e mikrofonat dolën lirshëm.

Bekimi kishte shkuar në besimin e të parëve.

E pyeta.

Po, më tha me krenari dhe me inatin e mirë të karakterit të tij.

Aty e mora vesh pse me kishte çue fjalë se do më “vriste”.

Kur mora vesh se ishte i sëmur dhe kishte shkuar në Gjermani të kurohej, thash me vete: Do ta kaloj. Është i fortë. Ka vullnet…

Po s’qe e thënë. Bekimi u largue, na la ne miqtë e tij, familjen, teatrin, dhe Kosovën që deshi aq shumë.

“Reqiescat in pace”

Pushofsh në paqe Bekimi i mirë.

Në trend Kultura

Më shumë
Karnavalet, origjina dhe domethënia

Karnavalet, origjina dhe domethënia

Kulture
“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

Kulture
Biznesi i filmave ... mbaroi!

Biznesi i filmave ... mbaroi!

Kulture
Trim mbi trima kish qenë gjithmonë Gjergj Elez Alia

Trim mbi trima kish qenë gjithmonë Gjergj Elez Alia

Fjala+
RUBAIRAT

RUBAIRAT

Poezi
Thënie të Anton Chekhovit

Thënie të Anton Chekhovit

Fjala+
Kalo në kategori