Shefi i ndihmave humanitare të OKB-së, Tom Fletcher, postoi në rrjetin social X një video nga vizita e tij në Khan Younis, Gaza, e cila tregon shkallën e shkatërrimit pas ofensivës ushtarake izraelite.

Videoja e Fletcher vjen pas një misioni njëjavor nëpër Egjipt, kalimin e Rafah dhe Gazën qendrore - e regjistruar në ditarin e tij të botuar në Observer.


Në raportin e tij, Fletcher e përshkroi shkallën e shkatërrimit si "të jashtëzakonshme".

"Asgjë nuk mund t'ju përgatisë për Gazën - shkalla e shkatërrimit, humbja dhe forca në sytë e popullit."

Ai tha se, pavarësisht armëpushimit, "çdo centimetër tregon një histori humbjesh... Gaza është një shkretëtirë. Rrugët janë të mbushura me rrënoja".



Fletcher, i cili koordinon konvojet e ndihmave përmes Egjiptit, u bëri thirrje udhëheqësve botërorë që ta mbajnë korridorin humanitar të hapur.

"Ua kemi borxh atyre që kanë vuajtur kaq shumë - të dalim nga cikli i mizorisë, terrorit dhe hakmarrjes." /Telegrafi/