Në fshatin Kovragë është mbajtur edhe këtë vit “Festa e Mollës”, një ngjarje tradicionale që kremton punën dhe përkushtimin e banorëve të kësaj zone, të njohur për prodhimin cilësor të mollës, përcjell Telegrafi.

Kryetari i Komunës së Istogut, në fjalën e tij me këtë rast, tha se kjo festë është bërë tashmë simbol i punës dhe krenarisë së banorëve të Kovragës, duke e veçuar Istogun për prodhim dhe cilësi në bujqësi.




“Përkushtimi dhe puna e palodhur e banorëve të Kovragës janë pasuri e madhe për gjithë komunën. Ju falënderoj nga zemra dhe uroj që këtë festë ta gëzojmë edhe për shumë vite së bashku. Ne do të vazhdojmë të jemi krah jush, krah njerëzve punëtorë të Kovragës”, tha ai.

“Festa e Mollës” jo vetëm që afirmon traditën dhe kulturën bujqësore të Istogut, por gjithashtu shërben si mundësi për të promovuar produktet vendore dhe për të inkurajuar zhvillimin e mëtejmë të sektorit të bujqësisë. /Telegrafi/