Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë  për çështjen e konstituimit të Kuvendit.

Sipas aktgjykimi thuhet se Gjykata, në mënyrë të përmbledhur rikujton që përmes Aktgjykimit të të 26 qershorit 2025 lidhur me afatin për konstituimin e Kuvendit konstatoi që “Seanca Konstituive e Kuvendit është një akt kushtetues që duhet të përmbushet me sukses brenda 30 ditëve nga data e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve, përmes përmbushjes të të gjitha elementeve thelbësore të konstituimit, përfshirë zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve.


Në aktgjykimin e Kushtetutës bëhen të ditura "Meritat e kërkesës" që mund t'i lexoni më poshtë:

Gjykata, fillimisht rithekson që në rastin KO124/25 për objekt shqyrtimi të kërkesës së parashtruesve kishte vlerësimin (i) e çështjes ndërlidhur me konstituimin e Kuvendit dhe afatit për konstituimin e tij, si dhe (ii) të pretendimit të parashtruesve të kërkesës për “ndryshimin e rendit të ditës së Seancës Konstituive” dhe propozimin e Kryesuesit për themelimin e “Komisionit për Votim të Fshehtë”.

Gjykata, në mënyrë të përmbledhur rikujton që përmes Aktgjykimit të saj në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 lidhur me afatin për konstituimin e Kuvendit konstatoi që “Seanca Konstituive e Kuvendit, në kuptim të paragrafit 1 të nenit 66 të Kushtetutës është një akt kushtetues që duhet të përmbushet me sukses brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve, përmes përmbushjes të të gjitha elementeve thelbësore të konstituimit, përfshirë zgjedhjen e Kryetarit/es sipas paragrafit 2 të nenit 67 dhe nënkryetarëve sipas paragrafëve 3 dhe 4 të nenit 67 të Kushtetutës.

Çdo interpretim ndryshe do të relativizonte rendin kushtetues, respektivisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe do të nënkuptonte tolerim të bllokimit institucional, në kundërshtim me natyrën funksionale të një demokracie të udhëhequr nga parimet e demokracisë dhe të sundimit të ligjit.” (shih, paragrafin 145 të Aktgjykimit). Këtë konstatim, Gjykata e mbështeti ndër tjerash në atë që përcaktimet në paragrafin 1 të nenit 66 të Kushtetutës nënkuptojnë se mbajtja e seancës konstituive brenda afatit 30 (tridhjetë) ditor, nuk është mundësi formale apo orientuese, por detyrim kushtetues që lidhet ngushtë me fillimin e mandatit të legjislaturës së re. Sipas Gjykatës, kërkesa nga paragrafi 1 i nenit 66 të Kushtetutës, që Kuvendi të mbajë Seancën Konstituive brenda 30 (tridhjetë) ditëve nuk do të thotë vetëm që deputetët e zgjedhur duhet të mblidhen fizikisht në sallë po që kuptimi i kësaj norme duhet të jetë substancial dhe funksional, duke nënkuptuar që brenda këtij afati duhet të realizohen të gjitha veprimet kushtetuese që rezultojnë në konstituimin e Kuvendit, të cilat përfshijnë (i) verifikimin e mandateve të deputetëve të zgjedhur, (ii) dhënien e betimit nga ana e tyre dhe (iii) zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe (iv) zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit. Thënë këtë, Gjykata ka ritheksuar që pa përfundimin me sukses të këtyre veprimeve kushtetuese, Kuvendi nuk mund të konsiderohet juridikisht i konstituuar dhe, rrjedhimisht, nuk mund të ushtrojë asnjë nga funksionet që Kushtetuta i ka caktuar (shih, paragrafët 131-132 të Aktgjykimit në rastin KO124/25).

Përderisa në kuptimin të vlerësimit të çështjes ndërlidhur me pretendimet për “ndryshimin e rendit të ditës” së seancës konstituive dhe propozimin e Kryesuesit të Seancës Konstituive për themelimin e “Komisionit për Votim të Fshehtë”, Gjykata konkludoi që “marrë për bazë vlerësimin dhe konstatimet si më sipër konsideron që zhvillimi dhe përfundimi i Seancës Konstituive duhet të udhëhiqet në pajtim me përcaktimet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, Kreun IV (Konstituimi i Kuvendit) të Rregullores së Kuvendit dhe praktikat e deritanishme parlamentare për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.”(shih, paragrafin 187 të Aktgjykimit në rastin KO124/25).

Në vijim të këtyre konstatimeve, Gjykata përmes pikës IItë Aktgjykimit në rastin KO124/25 vendosi që deputetët e zgjedhur të Kuvendit, në zbatim të paragrafit 1 të nenit 66, në ndërlidhje me paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të nenit 67, si dhe nenet 70 dhe 74 të Kushtetutës, në pajtim me Kreun IV të Rregullores së Kuvendit dhe praktikat e deritanishme parlamentare për konstituimin e Kuvendit, si dhe në përputhje me konstatimet e dhëna në këtë Aktgjykim, janë të obliguar që, dhe jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi, të përmbushin detyrimin kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës përmes zgjedhjes së Kryetarit/es dhe të nënkryetarëve të tij.

Gjykata rikujton që parashtruesit e kërkesave në thelb pretendojnë që (i) propozimi i Kryesuesit të Seancës Konstituive për propozimin e anëtarëve për Komisionin për Votim të Fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, gjatë seancave të 29 qershorit, 1 dhe 3 korrikut 2025 nuk është në përputhje me Aktgjykimin e Gjykatës në rastin KO124/25; dhe (ii) në vijim të kësaj specifikojnë që “Vendimi i Kuvendit për votimin e Komisionit për votim të fshehtë, në kuadër të vazhdimit të seancës konstituive të Legjislaturës IX të Kuvendit, të mbajtur sipas transkriptit të datës 29 qershor 2025.” është nxjerrë në kundërshtim me nenet 65 [Kompetencat e Kuvendit], 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve], 74 [Ushtrimi i Funksionit] dhe 76 [Rregullorja e Punës] të Kushtetutës.

Pretendimet e parashtruesve të kërkesave kundërargumentohen nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje!, Znj. Saranda Bogujevci, e cila në komentet e dorëzuara në Gjykatë, në emër te Lëvizjes Vetëvendosje!, në thelb, thekson që (i) votimi i fshehtë është i lejueshëm si një kompromis i mundshëm mes deputetëve, me qëllim të konstituimit të Kuvendit; dhe (ii) propozimi i Kryesuesit të Seancës për formimin e komisionit për votim të fshehtë paraqet përpjekje të sinqertë për të gjetur "kompromisin apo konsensusin" e nevojshëm për mënyrën e votimit, me qëllim të konstituimit të Kuvendit; (iii) mos-pjesëmarrja e deputetëve në votimin për formimin e komisionit për votim të fshehtë bllokon shprehjen e vullnetit të shumicës; dhe (iv) të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit kanë për obligim gjetjen e një mënyre për të zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit. /Telegrafi/