PTK-ja e ka obligim ligjor që t’i përgjigjet interesimit të mediave

AGPK, siç thuhet në komunikatë, mbron vetëm gazetarët dhe gazetarinë profesionale nga presionet që mund të vijnë nga institucionet dhe grupet tjera të interesit.
“Në këtë kontekst, kërkesa e PTK-së drejtuar AGPK-së, që të reagojë ndaj shkrimeve të gazetës ‘Zëri’, është jashtë fushëveprimit tonë. Nëse konsideron se po sulmohet padrejtësisht nga kjo gazetë, PTK mund t’iu drejtohet organeve kompetente”, theksohet më tej në komunikatë.
Në anën tjetër, AGPK është njoftuar se gazetarët e gazetës “Zëri” janë kërcënuar disa herë nga drejtuesit e PTK-së. Për këtë, kjo gazetë thotë se ka dëshmi konkrete. Po ashtu, PTK-ja ka njoftuar gazetën “Zëri” se nuk do t’u përgjigjet më pyetjeve të gazetarëve të këtij mediumi.
AGPK konsideron se PTK-ja, si institucion publik, e ka obligim ligjor që t’i përgjigjet interesimit të mediave. Njëherësh, AGPK kërkon nga PTK-ja që të mos bëjë presion ndaj gazetës “Zëri”.
“Liria e mediave dhe fjala e lirë janë parime bazë të demokracisë. Prandaj, AGPK konsideron se është obligim i institucioneve të Republikës së Kosovës që t’i mbrojnë këto parime. Po ashtu, AGPK kërkon nga gazetarët që t’i përmbahen në përpikëri etikës profesionale dhe raportet e tyre t’i bazojnë vetëm në fakte konkrete”, përfundon komunikata e AGPK-së. /Telegrafi/





















































