Sipas raportimeve të fundit, Paris Saint-Germain është i hapur të dëgjojë oferta për mbrojtësin brazilian Lucas Beraldo gjatë afatit kalimtar të janarit, ndërsa Fenerbahçe po ndjek nga afër situatën e tij.

Gjigantët turq synojnë të aplikojnë një formulë të ngjashme me atë të transferimit të ish-mbrojtësit të PSG-së, Milan Skriniar, duke propozuar fillimisht një huazim me opsion blerjeje në verën e ardhshme.


Pavarësisht potencialit të tij të madh dhe pritshmërive të larta që shoqëruan ardhjen e tij, Beraldo nuk ka arritur ende të bindë trajnerin Luis Enrique për të fituar një rol të rëndësishëm në formacionin bazë.

Aktivizimet e kufizuara dhe konkurrenca e fortë në repartin e mbrojtjes kanë ndikuar ndjeshëm në zhvillimin e tij këtë sezon.

Aktualisht, në hierarkinë e mbrojtjes së PSG-së, Beraldo gjendet pas emrave si Illia Zabarnyi, Marquinhos dhe Willian Pacho, çka e bën perspektivën e tij në klubin parisien gjithnjë e më të paqartë.

Në këto rrethana, një largim i mundshëm në janar shihet si një opsion realist, si për lojtarin ashtu edhe për klubin.

Fenerbahçe, nga ana e saj, kërkon të përforcojë mbrojtjen për pjesën e dytë të sezonit dhe e sheh Beraldon si një profil të përshtatshëm për projektin e saj sportiv.

Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e mbrojtësit brazilian, ndërsa mbetet për t’u parë nëse bisedimet mes palëve do të konkretizohen. /Telegrafi/

telegrafi sport app